Kryetarja e Komisionit për Marrëdheniet me Jashtë, znj. Mimi Kodheli priti delegacionin parlamentar rumun, kryesuar nga z. Titus Corlatean, Kryetar i Komisionit të Jashtëm të Senatit të Rumanisë

  • Postuar më, 09/05/2022

Në dt. 9 maj 2022, Kryetarja e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, znj. Mimi Kodheli, shoqëruar nga deputeti Besion Ajazi, anëtar i këtij Komisioni priti në Selinë e Kuvendit një delegacion parlamentar rumun, kryesuar nga z. Titus Corlaean, Kryetar i Komisionit të jashtëm të Senatit të Rumanisë.

Gjatë këtij takimi bashkëbiseduesit folën për çështje të marrëdhënieve dypalëshe, forcimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Rumanisë, çështjet e proceseve të integrimit dhe zgjerimit europian si dhe mbi çështje të aktualitetit ndërkombëtar.

Znj. Mimi Kodheli, pasi i uroi mirseardhjen miqve rumunë, u shpreh se Rumania është një vend strategjik dhe aleat i rëndësishëm i Shqipërisë në NATO. Miqësia jonë merr vlera të veçanta në momentet e sotme kur armiku ndodhet në dyert tona dhe kur shprehja shqiptare “miku i mirë me shokë shumë“ tingëllon kaq aktuale për mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta perëndimore. Në këtë kuadër, Kryetarja e Komisionit për Marrëdheniet me Jashtë, znj. Kodheli, u shpreh se nevojiten që të ndërmerren disa hapa më domethënëse në drejtim të proceseve integuese euro-atlantike të rajonit, duke  theksuar rëndësinë e hapjes së menjëhershme të negociatave të Shqipërisë me BE si dhe të procesit të njohjes së Kosovës në organizmat europiane e ndërkombëtare.  

Z. Corlatean vlerësoi marrëdhëniet e veçanta dhe historike midis dy vendeve dhe nënvizoi mbështetjen e pakushtëzuar e Rumanisë ndaj  Shqipërisë në drejtim të proceseve të integrimit në BE. Proceset integruese duhet të jenë inkluzive, tha ai. Eshtë më mirë të jesh “brënda shtëpisë sesa jashtë saj”, veçanërisht sot kur Rusia është në kufijtë tanë. Duke folur për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, Kryetar i Komisionit të jashtëm të Senatit të Rumanisë, përmendi fillimin së shpejti të fluturimeve direkte Tiranë – Bukuresht, çka do ti shërbejë ndjeshëm bashkëpunimit e veçanërisht atij në fushën e turizmit.

Më tej bashkëbiseduesit folën për rëndësinë e minoriteteve, si ura bashkepunimi e miqësie midis popujve si dhe mbi rëndësinë që i kushtojnë të dy vendet tona  respektimit të të drejtave të tyre.


Share