Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi një projektligj dhe dy projekt-rezoluta, si dhe zhvilloi seancë dëgjimore mbi veprimtarinë vjetore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2021

  • Postuar më, 10/05/2022

10 maj 2022

Në drejtimin e kryetarit, z. Eduard Shalsi dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, komisioni për Ekonominë dhe Financat në mbledhjen e radhës shqyrtoi një projektligj, zhvilloi një seancë dëgjimore në kuadër të raportimeve vjetore të institucioneve të pavarura dhe miratoi dy projekt-rezoluta. Fillimisht komisioni shqyrtoi raportin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2021, çështje për të cilën ishte ftuar z. Ervin Mete, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, i cili shoqërohej nga stafi i AMF-së.  

Z. Mete prezantoi zhvillimet kryesore përgjatë vitit të kaluar, si edhe parashtroi disa nga objektivat kryesore të Autoritetit për periudhën në vazhdim. Duke parashtuar se viti 2021, pavarësisht presionit të ushtruar nga rikthimi i valës së pandemisë, shënoi një  rimëkëmbje e rritje të shpejtë të tregjeve financiare nën mbikëqyrje, z.Mete theksoi se sektori ka kapacitetin të përballojë presionet e mundshme nga rreziqet e shtuara që paraqet situata aktuale. Duke u ndalur te ndryshimet dhe ri-formatimi i bazës ligjore e rregullatore, z. Mete nënvizoi se ligji për sigurimin e detyrueshëm dhe rregulloret e miratuara nga Autoriteti në zbatim të tij, sollën rritje të vlerës së dëmshpërblimit për disa kategori dëmesh, si edhe reduktim të afateve për trajtimin e dëmeve me vlerë deri në 100 mijë lekë. Z.Mete sqaroi më tej se ligjet e reja për sipërmarrjet e investimeve kolektive dhe për tregjet e kapitalit kanë përafruar legjislacionin tonë me Direktivat e BE dhe se ndryshimet ligjore kanë vendosur standarde më të larta licencimi dhe mbikëqyrjeje, duke parashikuar edhe realizimin e një procesi strikt përputhshmërie të subjekteve që operojnë në këto tregje.  Z.Mete u ndal në mënyrë të veçantë tek ofrimi i shërbimeve që lidhen me sigurimin e detyrueshëm motorik në portalin e-Albania, nga ku kanë përfituar rreth 680 mijë qytetarë, të cilët pajisen çdo vit me një policë së sigurimit të detyrueshëm motorik, (tpl apo karton jeshil). Ndër objektivat për punën e institucionit në vijim, z.Mete pëmendi përparimin drejt standardeve më të mira ndërkombëtare në mbikëqyrje, zhvillimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të tregjeve financiare, etj. Deputetja znj. Antoneta Dhima në cilësinë e relatores vlerësoi punën e institucionit dhe përmbushjen e rekomandimeve të  lëna nga Kuvendit në Rezolutën për vitin e kaluar, si dhe paraqiti disa problematika për punën e AMF përgjatë vitit 2021, kur mes të cilave mungesën e trasparencës për vendimet e masave administrative dhe korrigjuese të marra për kompanitë, mungesën e informacionit për mënyrën e organizimit të stafit,  problematikat e paraqitur nga KLSH, etj. Në përfundim znj. Dhima paraqiti disa rekomandime për përmirësimin e punës së AMF për vitin 2021. Bashkërelatori i raportit, deputeti z.Arbi Agalliu, u ndal tek raporti i audituesve të pavarur, duke kërkuar më shumë informacion lidhur me zërin e shpenzimeve, si dhe rekomandimet e lëna nga FMN dhe Komiteti MONEYVAL i Këshillit të Evropës, në lidhje me masat e marra kundër PPP/FT.  Më pas z.Mete iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me tregun e investimeve; raportin prim/dëm në raport me vendet e rajonit apo standardet europiane, tregun e kriptovalutave, Bursën e Titujve, të ardhmen e tregut të letrave me vlerë; nivelin e provigjioneve, inspektimet e kryera nga AMF, etj. 

Mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e Marrëveshjes së Huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për një hua të bazuar në politika për mbështetjen e barazisë gjinore në aksesin ndaj mundësive ekonomike në Shqipëri”, i cili u prezantua nga znj.Adela Xhemali, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, znj. Olta Manjani, zëvendësministre e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe stafi teknik i MFE-së. Znj.Xhemali gjatë prezantimit sqaroi se marrëveshja e huas prej 50 milionë eurosh, e lidhur me Agjencisë Franceze për Zhvillim, ka për qëllim financimin e buxhetit të shtetit për të mundësuar mbështetjen e barazisë gjinore në aksesin ndaj mundësive ekonomike në Shqipëri. Znj.Xhemali theksoi se mbulimi i nevojave për financim nëpërmjet mbështetjeve buxhetore është një ndër instrumentet më të favorshëm të financimit, duke qenë se kemi të bëjmë me kredi me terma të buta dhe të akorduara nga institucione ndërkombëtare zhvillimi. Lidhur me termat, znj.Xhemali sqaroi se huaja do të disbursohet sipas një afati maturimi prej 12 vite, nga të cilat 3 vjet pa pagesë principali dhe me interes bazuar në normën e referencës euribor plus një marzh prej 1.35%, në përputhje me kushtet dhe termat financiare të parashikuara në të. Deputetja znj.Shpresa Marnoj në cilësinë e relatores vlerësoi rëndësinë e nismës për rritjen e vazhdueshme të standardeve dhe realizimin me sa më shumë efikasitet të reformave dhe politikave në fushën e barazisë gjinore, ftoi kolegët ta miratonin projektligjin.  Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare të radhës. Rendi i ditës së komisionit vijoi me shqyrtimin e projekt-rezolutave të veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2021, të  cilat u miratuan dhe i kaluan për shqyrtim seancës plenare.


Share