Komisioni i Ligjeve zhvilloi seanca dëgjimore mbi veprimtarinë e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2021

  • Postuar më, 10/05/2022

Në drejtimin e kryetares znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e tij të radhës zhvilloi dy seanca dëgjimore në kuadër të raportimeve vjetore të institucioneve të pavarura, e më konkretisht Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Komisioneri për Mbikëqyrjen  e Shërbimit Civil.

Fillimisht komisioni zhvilloi dëgjesë me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, z. Robert Gajda, i cili bëri një ekspoze të raportit të veprimtarisë së institucionit që drejton përgjatë vitit 2021, arritjeve dhe problematikave të hasura, si dhe paraqiti një përmbledhje të çështjeve të shqyrtuara nga KMD; procedurave të ndjekura për shqyrtimin e ankesave nga viktimat e diskriminuara, pjesëmarrjes së KMD-së në procese gjyqësore me objekt diskriminimin, etj. “Çështje të reja të regjistruara gjatë vitit 2021 pranë KMD-së janë 257 çështje, ndërkohë në vitin 2020 janë regjistruar 174. Çështjet e trajtuara nga KMD gjatë 2021 janë 324 çështje, ndërsa në vitin 2020 janë trajtuar 226 çështje. Numri i vendimeve të KMD është 249, ku përfshihen dhe 12 vendime me gjobë”, u shpreh z.Gajda duke sqaruar se nga totali i çështjeve të trajtuara, 302 kanë qenë ankesa dhe 22 çështje ex-officio. Lidhur me fushat z.Gajda u shpreh se 52% e ankesave lidhen me punësimin; 44% e totalit të çështjeve të trajtuara lidhen me fushën e të mirave dhe shërbimeve;  10 ankesa kanë qenë në lidhje me fëmijët, etj., duke ngritur si shqetësim shtimin e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale.  Lidhur me vendimet, z.Gajda sqaroi se përgjatë vitit 2021 Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, gjatë vitit 2021, është shprehur me 232 Vendime dhe 5 Rekomandime. Më tej z. Gajda informoi lidhur me rekomandimet dhe opinionet ligjore e dhëna për përmirësimin e kuadrit ligjor për të siguruar mbrojtje efektive nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjellje që nxit diskriminimin. Deputeti z.Denis Deliu, në cilësinë e relatorit vlerësoi punën e institucioni të KMD për vitin 2021, duke u ndalur dhe në disa rekomandime për përmirësimin e punës së këtij institucioni. Më pas z.Gajda iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me gjuhën e përdorur gjatë fushatave elektorale, gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit në rrjetet sociale, bullizimin në sistemin arsimor para universitar, vendimet gjyqësore, etj.

Më tej komisioni zhvilloi dëgjesë me Komisionerin për Mbikëqyrjen  e Shërbimit Civil,znj.Pranvera Strakosha, e cila bëri një ekspoze të raportit të veprimtarisë së institucionit që drejton përgjatë vitit 2021, duke u ndalur në risitë dhe një sërë problemesh që janë konstatur gjatë zbatimit në praktikë të ligjit për shërbimin civil. “Ne kemi ngritur një grup pune me DAP dhe shumë shpejt do të paraqesin para jush një draft për ndryshimet ligjore që janë konstatuar si të domosdoshme”, u shpreh znj.Strakosha. Sipas raportit të KMSHC numri total i inspektimeve mbi bazën e ankesave/kërkesave/informacioneve për vitin 2021 kanë qenë 145, për të cilat procesi ka përfunduar në 118 raste, ndërkohë që 27 raste vendimmarrje ka përfunduar në 3-mujorin e parë të vitit 2022. Znj.Strakosha informoi mbi impaktin e dhënë për punësimet e studentëve të ekselencës për një periudhë 3- vjeçare dhe vendeve të paplotësuar në sistemin e shërbimit civil, situatën e rekrutimit në shërbimin civil në administratën vendore, etj.  Znj.Strakosha theksoi se përgjatë procesit zgjedhor të vitit 2021 është monitoruar sjellja e punonjësve të administratës publike, nga ku ka rezultuar sipas sa: “një maturi dhe sjellje jashtëzakonisht korrekte në krahasim me vitet e kaluara, ku punonjësit e administratës janë ndërgjegjësuar në lidhje me detyrimet dhe kufizimet që u vendos ligji në lidhje me administratën zgjedhore”. Deputeti Jurgis Çyrbja në cilësinë e relatorit vlerësoi punën e KMSHC përgjatë vitit 2021 dhe ndryshimet e bëra ndër vite në legjislacionin për shërbimin civil, i cili synon sigurimin e parimeve të meritokracisë, integritetit dhe paanësisë politike në shërbimin civil, duke ndikuar në rritjen e nivelit të cilësisë në shërbimin ndaj qytetarëve. Më pas znj.Strakosha iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me monitorimet e fushatave zgjedhore, studentët e ekselencës, vendimet gjyqësore për rikthimet në punë, etj.

 


Share