Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti Zëvendëspresidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE, z. Azay Guliyev: Shqipëria prodhon zhvillim e siguri
- Postuar më, 11/05/2022

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti
Zëvendëspresidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE, z. Azay Guliyev. Në takim ishte i pranishëm edhe Kryetari i
Prezencës së OSBE-në në Shqipëri, Ambasadori Vincenzo Del Monaco. Kryetarja Nikolla nënvizoi se në 25-vjetorin e Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Shqipëria vlerëson rolin e Asamblesë Parlamentare në nxitjen e dialogut dhe forcimin e sigurisë gjithëpërfshirëse. “OSBE-ja është një organizatë me rëndësi vendimtare për sigurinë evropiane e më gjerë. Kuvendi i Shqipërisë përgëzon qëndrimin parimor të AP në lidhje me Ukrainën dhe, bashkë me aleatët tanë, qëndrojmë fort përkrah Ukrainës dhe kontribuojmë, politikisht e praktikisht, që në Ukrainë të kthehet paqja dhe liria. Gjithashtu, ne po bashkëpunojmë me OSBE-në për të përshpejtuar e avancuar proceset demokratike dhe integrimin në BE, me fokus të veçantë reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi, për të garantuar zhvillimin, demokratizimin, europianizimin e paqen, në rajon e më gjerë. Shqipëria, nga një vend që konsumonte siguri, është bërë një vend që prodhon siguri e zhvillim. Dëshmi e kësaj ishte Kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020.”, theksoi Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla. Znj. Nikolla vlerësoi gjithashtu rolin dhe kontributin aktiv të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, për të të mbështetur reformat demokratizuese dhe integruese si edhe përmes zbatimit të projekteve në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, medias, barazisë gjinore, etj. Shqipëria do të vazhdojë të përkrahë Agjendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si një investim për paqe më afatgjatë e të qëndrueshme.
Zëvendëspresidenti
i Asamblesë Parlamentare të OSBE, z. Azay Guliyev, falenderoi Kryetaren Nikolla
për vlerësimin e bashkëpunimit të Shqipërisë dhe Kuvendit me OSBE-në dhe
Asamblenë Parlamentare. Z. Guliyev vlerësoi lidershipin e Kryetares Nikolla në
krijimin e atomosferës pozitive për mirëkuptim e dialog në Kuvend, për
avancimin e reformës zgjedhore dhe reformës në drejtësi. Zëvëndëspresidenti
Guliyev vlerësoi si mjaft mbresëlënëse arritjet e Shqipërisë në procesin e
integrimit evropian, kontributin në bashkëpunimin dhe stabilitetin në rajon si
edhe progresin shumë të dukshëm në barazinë gjinore dhe përfaqësimin gjinor në
jetën politike e parlamentare dhe institucionet. Asambleja Parlamentare e
OSBE-së do të vazhdojë të bashkëpunojë me Kuvendin e Shqipërisë për avancimin e
reformave dhe prioritetet e tjera të agjendës së Kuvendit. |