Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, zhvilloi seancë dëgjimore me KPP
- Postuar më, 11/05/2022

Në
drejtimin e kryetares znj. Klotilda Bushka, Komisioni për Çështjet Ligjore,
Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi një seancë dëgjimore me
Komisionin e Prokurimit Publik, mbi Raportin Vjetor të veprimtarisë së këtij
Komisioni gjatë vitit 2021.
Të
ftuar ishin z. Jonaid Myzyri Kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik, znj. Irma
Droboniku Sekretare e Përgjithshme dhe znj. Erjola Nasufi inspektore.
Gjatë
prezantimit të këtij raporti, z. Myzyri u shpreh se viti 2021 ishte një vit
shumë i rëndësishëm për sistemin e prokurimit publik në Shqipëri, veçanërisht
në tri aspekte.
Së
pari, pasi ishte një vit shënues dhe kthese, për mënyrën e ofrimit të
shërbimeve nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik dhe projekti i
digjitalizimit të plotë të shërbimeve, i nisur në vitin paraardhës, u arrit të
finalizohej me sukses.
Së
dyti, hyrja në fuqi e ligjit të ri për prokurimin publik, solli një moment të
rëndësishëm për sistemin në tërësi. “Ligji
i ri ka sjellë ndryshime thelbësore materiale dhe procedurale, ndaj dhe
përgjegjësia e Komisionit të Prokurimit Publik ka qenë edhe më e lartë në
vendosjen e praktikave të konsoliduara, mbi trajtimin e çështjeve të reja për
këtë institucion, në dhjetëvjeçarin e funksionimit të tij.”, nënvizoi z.
Myzyri.
Së
treti, ka qenë një vit i rëndësishëm edhe për vlerësimin në aspektin
ndërkombëtar të prokurimit publik në Shqipëri, veçanërisht të punës së
Komisionit të Prokurimit Publik.
“Kësisoj,
Shqipëria është kthyer në promotore të një standardi të ri të publikimit të
veprimtarisë së organit shqyrtues të ankesave në rang rajonal dhe më gjerë.”, -
vuri në dukje kryetari i KPP z. Myzyri.
Relatori
i çështjes z. Jurgis Cyrbja u ndal në disa aspekte të rëndësishme të punës së
KPP, si në përmbushjen e rekomandimeve, shërbimet, administrimi dhe shqyrtimi i
ankesave etj.
Mbledhja
vazhdoi me diskutime dhe komente të ndryshme mbi këtë Raport.