KKIE zhvilloi takimin me temë “Ecuria në luftën kundër krimit të organizuar dhe zbatimi i rekomandimeve të Komisionit Europian në Raportin e vitit 2021 për Shqipërinë si dhe Nënkomitetit BE - Shqipëri për Drejtësi, Liri dhe Siguri 2021”

  • Postuar më, 11/05/2022

Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) zhvilloi sot takimin me temë “Ecuria në luftën kundër krimit të organizuar dhe zbatimi i rekomandimeve të Komisionit Europian në Raportin e vitit 2021 për Shqipërinë si dhe Nënkomitetin BE - Shqipëri për Drejtësi, Liri dhe Siguri 2021”, çështje për të cilën ishin thirrur për të raportuar z.Bledar Çuçi, Ministër i Brendshëm dhe z. Elvis Koçi, Drejtor i Përgjithshëm i Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Në takim mbajtën fjalë përshëndetëse Kryetarja e KKIE-së, znj. Jorida Tabaku dhe Nënkryetari, z. Taulant Balla, të cilët e konsideruan takimin si siparin e një sërë tryezash raportuese që do të zhvillojë KKIE për monitorimin e zbatimit të 6 parakushteve për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

 

Kryetarja e KKIE-së, znj. Jorida Tabaku, në fjalën e saj e vlerësoi takimin si një mundësi e mirë për një qasje të re të rolit mbikëqyrës dhe monitorimit që duhet të ketë Kuvendi ndaj institucioneve që janë përgjegjëse për procesin e integrimit europian. “Ky nuk është një proces që nis dhe përfundon në një ditë të caktuar. Është një proces i vazhdueshëm monitorimi, dhe unë besoj se na takon të gjithëve ne, si anëtarë të KKIE, por dhe çdo deputeti, të ushtrojmë rolin tonë përsa i përket mbikëqyrjes së këtij procesi”, u shpreh znj.Tabaku, duke u ndalur më pas në tre çështje kryesore të ngritura në progres raportin e KE: krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe korrupsionin, si dhe migracionin e parregullt, azilin dhe shtetësinë.

Duke cituar progres raportin e Komisionit Europian, znj.Tabaku u shpreh se çështjet mbi krimin e organizuar mbeten një shqetësim dhe se përpjekjet dhe vullneti politik duhet të rriten në drejtim të konsolidimit të historikut të sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale. “Nga të dhënat zyrtare deri më tani numri i zyrtarëve të lartë të cilët janë nën hetim mbetet dhe vazhdon të jetë i ulët, duke theksuar se hetimet nuk kanë përfunduar me vendime dënimi nga gjykatat”, duke theksuar më tej shqetësimin e saj lidhur me hetimet e krimeve zgjedhore, por dhe lidhjet e aktorëve shtetërorë me botën e krimit të organizuar.

Më tej znj.Tabaku u ndal tek çështja e pastrimit të parave dhe korrupsionit, por dhe emigracionit e kërkesave për azil në vendet e BE, të cilat sipas saj kërkojnë ende përpjekje të konsiderueshme nga ana e autoriteteve shqiptare për tu zgjidhur.

Në përmbyllje të fjalës së saj, znj.Tabaku kërkoi informacion nga ministri Çuçi se çfarë është duke bërë aktualisht Ministria e Brendshme lidhur me ekipin dhe hapat që po ndërmerren për ngritjen e strukturave përkatëse për negocimin e kapitujve 23 dhe 24, por dhe Cluster 1.

Nënkryetari i KKIE-së, z. Taulant Balla, në fjalën e tij parashtroi se Shqipëria i ka kryer detyrimet që duhet të përmbushë për procesin e integrimit europian dhe se vendimmarrja tashmë lidhet me BE.  “Unë besoj, shpresoj se ato që tha Presidenti Makron pardje, bashkë me kancelarin Scholz, për një ndryshim rrënjësor të mënyrës së vendimmarrjes në Bashkimit Evropian për një qasje të re, të anëtarësimit të shpejtë  të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sikurse është zotuar kancelari Scholz dhe mendoj që ne të gjithë në të paktën, në Këshillin e parë Kombëtar të Integrimit pas këtyre zhvillimeve, t’i themi gjërat siç janë”, u shpreh z. Balla.

Duke cituar progres-raportin e Komisionit Europian, z.Balla u ndal në mënyrë të veçantë në rekomandimet lidhur me nisjen e procedurave penale, në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vettingut.  “Ajo që po themi ne këto ditë është pikërisht kjo: “detyrat e shtëpisë” që na ka vendosur  Komisioni Evropian, t’i bëjmë në mënyrë intensive dhe të menjëhershme, dhe  besoj që në takimet e ardhshme, ku do të kemi edhe drejtuesit e Prokurorisë dhe SPAK, t’i marrin një për një, sepse roli drejtues i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian është pikërisht monitorimi i plotësimit të detyrave që na janë vendosur nga Komisioni Evropian”, theksoi z. Balla.

Duke iu referuar detyrimeve lidhur me luftën ndaj pastrimit të parave, z.Balla nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë ka qenë shumë i përfshirë në këtë proces. “Besoj që jemi të gjithë dakord që të paktën për pjesën që mbulon luftën kundër pastrimit të parave kemi arritur në një kohë rekord të plotësojmë të gjithë legjislacionin dhe të plotësojmë të gjitha detyrat që u vendosën nga Moneyval-i, për sa i përket legjislacionit”, përmbylli fjalën z.Balla.

Më pas, Ministri i Brendshëm, z.Bledar Çuçi, raportoi lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të Kapitullit 24 “Drejtësi, Liri dhe Siguri” dhe hapat e ndërmarrë në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, migracionit të parregullt, azilit dhe shtetësisë. Fillimisht z.Çuçi u ndal tek bashkëpunimi me agjencitë e zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, duke theksuar se zhvillimi i operacioneve të përbashkëta kryesisht nëpërmjet INTERPOL, EUROPOL, DEA, Zyrës së Interforcës, Rrjetit CARIN , etj. ,dëshmon për nivelin e lartë të besimit që është krijuar tek Shqipëria nga partnerët evropianë.

 “Sipas gjetjeve të Progres-Raportit 2021, Shqipëria ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të forcuar bashkëpunimin policor ndërkombëtar, ndërkohë sa i takon rekomandimit në këtë nënfushë “Mbi emërimin e një Koordinatori Kombëtar të EMPACT”, e ka bërë tashmë që në prill 2021, roli i të cilit është bashkërendimi i përfshirjes së Policisë së Shtetit në planet Operacionale të platformës EMPACT, çka rrit ndjeshëm eficiencën dhe bashkëveprimin me institucionet ligjzbatuese evropiane”, u shpreh Z.Çuçi, duke u ndalur më tej dhe në nënshkrimin e marrëveshjeve me EUROPOL dhe FRONTEX.

Për sa i pëket masave të ndërmarra në luftën kundër krimit të organizuar, z.Çuçi u shpreh se Policia e Shtetit i ka kushtuar vëmendje e veçantë luftës kundër kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike, trafikimit të paligjshëm dhe atij të qenieve njerëzore. Lidhur me rekomandimin e KE, mbi trafikimin e paligjshëm të armëve të zjarrit të cilat përdoren edhe nga grupet kriminale shqiptare dhe trafikohen, kryesisht në vendet fqinje, z.Çuçi u shpreh se është punuar në drejtim të përafrimin e legjislacionit vendas me “acquis” të BE duke hartuar 3 ligje të rëndësishme dhe 14 akte nënligjore në funksion dhe zbatim të Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla, Armëve të Lehta, Municionit dhe Lëndëve Plasëse 2019-2024 dhe Planit të Veprimit të saj 2019-2021. 

Z.Çuçi u ndal më pas në hapat e ndërmarra kundër pastrimit të parave dhe aseteve, duke përmendur mes të tjerave miratimin e ligjit “Për regjistrin qendror të llogarive bankare” dhe VKM-në “Për rregullat e aksesit në bazën e të dhënave të regjistrit qendror të llogarive bankare”.  “Gjatë vitit 2021 u hartua dhe miratua Procedura Standarde “Për hetimin pasuror dhe identifikimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtaria kriminale”, përmes së cilës Policia e Shtetit në bashkëpunim me organet e tjera ligj zbatuese aplikon hetimin pasuror e atë financiar paralel dhe pavarësisht hetimit penal”, u shpreh z.Çuçi, duke shtuar më tej se MB ka realizuar detyrimet e saj, në zbatim të Planit të Veprimit të rënë dakord me Task Forcën e Veprimit Financiar për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Më tej z.Çuçi u ndal në mënyrë të veçantë në bashkëpunimin me Departamentin të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme në Itali. “Për herë të parë, nga Guardia di Finanza, është shtuar me një muaj periudha kohore e aktivitetit të monitorimit ajror. Gjithashtu në të gjithë territorin e vendit janë kryer mbi 5 mijë kontrolle të ambienteve të mbyllura, të cilat janë një tendencë e re e kultivimit të kanabisit. Në këto muaj të parë të vitit 2022, Policia e Shteti ka zhvilluar mbi 600 takime ndërgjegjësuese me drejtues të institucioneve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, drejtues të organeve të pushtetit lokal, nxënës e mësues dhe organizata të shoqërisë civile”, sqaroi z.Çuçi. Më tej ministri u shpreh se shumë asete të konfiskuara nga grupe të trafikut të drogës menaxhohen tashmë nga organizata të shoqërisë civile, grupe komunitare, të rinj apo gra viktima të trafikimit dhe dhunës, duke ofruar mundësi shumë të mira jo vetëm për fuqizimin e tyre, por dhe të komuniteteve ku ato jetojnë.

Për sa i përket hapave të ndërmarra kundër terrorizmit, ministri Çuçi u shpreh se Shqipëria është vlerësuar vazhdimisht me nota pozitive. “Në Progres Raportin e KE për vitin 2021 thuhet se Shqipëria ka marrë pjesë aktive në zbatimin e nismës kundër terrorizmit të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh z.Çuçi duke përmendur më tej operacionet e ndërmarra për kthimin e grave dhe fëmijëve të mbetur në kampet në Siri. Në përfundim, ministri raportoi edhe në lidhje me masat e marra për migracionin dhe azilin, duke theksuar se tashmë është hartuar një kuadër ligjor, në një linjë me legjislacionin e BE, duke synuar ndërtimin e një politike migratore më të fortë dhe koherente. “Janë përmirësuar aktet normative në aspektin e procedurave të dokumenteve të udhëtimit, vizave, punësimit, qëndrimit, bashkimit familjar, por edhe në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë migrantëve dhe familjeve të tyre. Ligji i ri “Për të Huajt” parashikon gjithashtu krijimin dhe funksionimin e Regjistrit Elektronik Kombëtar për të Huajt, një databazë që nuk e kemi pasur deri më tani”, u shpreh z.Çuçi.

Në takim u bënë pyetje lidhur me çështjet e diskutuara, ndër të tjera mbi fenomenin e pastrimit të parave në Shqipëri dhe parandalimin e tij, rezultatet konkrete të Shqipërisë në luftën e pastrimit të parave dhe korrupsionit, nismën për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, amnistinë fiskale, krimin kibernetik, etj, nga deputetë dhe anëtarë të KKIE-së: z. Enkelejd Alibeaj, z.Ferdinand Xhaferri, znj.Klotilda Bushka, z.Toni Gogu, z.Gazment Bardhi, znj.Blerina Gjylameti, znj.Dhurata Çupi, z.Arben Pëllumbi, znj.Grida Duma, znj. Ilda Zhulali, znj.Sorina Koti dhe znj. Dafina Hysa, përfaqësuese e medias . 

Aktiviteti u transmetua live në faqen zyrtare web dhe “Facebook” të Kuvendit.


Share