Kuvendi mblidhet në seancë plenare, miratohen dy projektrezoluta, 2 projektligje dhe 3 projektvendime
- Postuar më, 12/05/2022
12
maj 2022
Në
drejtimin e Kryetares, znj. Lindita Nikolla, Kuvendi u mblodh sot në seancën
plenare të radhës.
Në
nisje të seancës, Kryetarja Nikolla ndër
të tjera njoftoi se në Konferencën e Kryetarëve nuk u arrit mirëkuptimi për tu
përfshirë në rendin e ditës kërkesa për mocion me debat për njohjen e
gjenocidit në Srebrenicë, e paraqitur nga një grup deputetësh të pakicës
parlamentare. Në bazë të Rregullores së Kuvendit, Kryetarja Nikolla njoftoi për
zhvillimin e një debati të hapur për çështjen. Kërkesa u prezantua nga deputeti
z.Sali Berisha, i cili mes të tjerash theksoi se njohja e gjenocidit serb në
Srebrenicë është detyrim madhor për të dënuar këtë gjenocid dhe kusht themelor
për t’u mos u përsëritur më. Kryetari i grupit parlamentar socialist, z.
Taulant Balla, në fjalën e tij, e përshkroi Masakrën e Srebenicës “si krimin më
të rëndë në territorin e Evropës që prej Luftës së Dytë Botërore dhe vuri në
dukje se vrasjet në Srebenicë janë klasifikuar si genocid nga Gjykata
Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish
-Jugosllavinë.”
Pas
diskutimeve, kërkesa për mocion u rrëzua me votim të hapur, pasi morri 17 vota
pro me 51 vota kundër.
Më
pas diskutimet vijuan sipas rendit të ditës, ku u shqyrtuan projektrezolutat e
dy institucioneve të pavarura lidhur me raportimin e veprimtarisë përgjatë
vitit 2021, si dhe dy projektligje.
Diskutimet
e Kuvendit nisën me raportimin e veprimtarisë vjetore të Agjencisë të Sigurimit
të Depozitave dhe Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2021. Drejtuesit e
këtyre institucioneve, z. Genci Mamami për ASD dhe z. Denar Biba për Autoritetin e Konkurrencës,
raportuan në Kuvend për veprimtaritë e institucioneve përkatëse.
Përmes
rezolutës së paraqitur nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat, Kuvendi ndër
të tjera i rekomandoi Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2022 të
përmirësojë punën në drejtim: të kryerjes së simulimeve teknike me anëtarët e
skemës së sigurimit të depozitave, në funksion të përmirësimit të raportimit të
saktë dhe në kohë nga subjektet anëtare në Agjenci në rast ngjarje sigurimi; të
përmirësojë kapacitetet e infrastrukturës së teknologjisë së informacionit; të
përmirësojë procedurat operacionale të Agjencisë për parandalimin dhe adresimin
e rreziqeve që mund të shkaktohen nga situata; të identifikojë ndryshimet e
mundshme ligjore dhe nënligjore për sigurimin e depozitave me qëllim
përputhshmërinë e kuadrit ligjor dhe rregullativ të juridiksionit vendas me
Direktivën e Bashkimit Evropian 2014/49/EU “Për skemat e sigurimit të
depozitave”; etj. Projektrezoluta u miratua nga Kuvendi me 76 vota pro, 36
kundër dhe 3 abstenim.
Diskutimet
vijuan me shqyrtimin e raportit të Autoritetit të Konkurrencës për veprimtarinë
e vitit 2021. Deputetët e opozitës gjatë diskutimeve theksuan se nevojitej një
rol më aktiv i Autoritetit të Konkurrencës për kryerjen e analizave për tregun
e hidrokarbureve dhe çmimeve të produkteve të shportës, duke marrë masa
konkrete dhe vendosur gjoba për abuzuesit dhe mbrojtur interesin e
qytetarëve. Deputetët e mazhorancës
argumentuan se çmimet nuk u rritën për arsye të tregut të brendshëm, por si
pasojë e rritjes së çmimeve për shkak të krizës energjetike dhe invazionit rus
në Ukrainë. Zëvendëskryeministri,
z.Arben Ahmetaj, deklaroi mes të tjerash se: “Të ardhurat shtesë janë shpërndarë,
përmes subvencionit të sektorit energjetik në masën 200 milionë dollarë dhe
përmes paketës sociale. Dhe do të vijojmë ti shpërndajmë. Asnjë qytetar apo
biznes nuk paguan asnjë lekë më tepër për çmimin e rritur të energjisë. Spanja
dhe Portugalia kanë kërkuar të dalin nga rregullat bazë të Unionit të
Energjisë. Ne kemi marrë përsipër të paguajmë çdo lek të rritje së çmimit të
energjisë. Statistikat tregojnë se ne kemi ndërhyrë drejtpërdrejt aty ku çmimet
janë rritur, te shporta.”
Përmes
një projektrezolute të paraqitur nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat,
Kuvendi i rekomandoi Autoritetit të Konkurrencës mes të tjerash: të orientohet
drejt digjitalizimit të proceseve të monitorimit dhe hetimit të tregjeve; të
nxisë komunikim më të mirë me publikun dhe të përmirësojë treguesit e transparencës;
të angazhojë kapacitetet administrative të institucionit për intensifikimin e
monitorimeve dhe përfundimin në një kohë të arsyeshme të procedurave hetimore
jo vetëm në tregjet sensitive dhe me impakt të drejtpërdrejtë për mirëqenien e
konsumatorit, por edhe në tregjet e tjera referuar rekomandimeve të BE-së dhe
OECD-së, si në tregun e tregtimit të vajit vegjetal, tregun e tregtimit të
karburanteve, tregun e shërbimeve të telefonisë celulare, barnat dhe pajisjet
mjekësore; të mbajë në monitorim përqendrimin e autorizuar në tregun e
telefonisë celulare; të përfshijë sa më parë ndryshimet për rishikim e ligjit
nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të ndryshuar, në procesin e
konsultimit publik, me qëllim paraqitjen e tyre në Kuvend brenda vitit 2022; të
fokusohet në promovimin e mëtejshëm të kulturës së konkurrencës dhe komunikimin
e vazhdueshëm me biznesin si dhe të intensifikojë marrëdhëniet me botën
akademike për çështjet e rregullimit të tregut, me qëllim sigurimin e njohurive
të nevojshme për shumë profesionistë në fushën e ligjit të konkurrencës; të bëj vlerësimin ligjor dhe të japë
asistencën e nevojshme për ndihmën shtetërore, për plotësimin e kuadrit ligjor
dhe nënligjor, si dhe të bëjë vlerësime ex-post për rastet e dhënies të ndihmës
shtetërore kur ka shqetësime për konkurrencën;
të bashkëpunojë me institucionet homologe të Bashkimit Evropian për të
huazuar praktikat më të mira në fushën e konkurrencës dhe të sigurojë
asistencën e ekspertëve ndërkombëtare për çështje me rëndësi, etj.
Projektrezoluta
u miratua nga Kuvendi me 74 vota pro, 39
kundër dhe 3 abstenim.
Në
seancën e sotme Kuvendi shqyrtoi projektligjin "Për ratifikimin e
marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së
Shqipërisë dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për një hua të bazuar në
politika për mbështetjen e barazisë gjinore, në aksesin ndaj mundësive
ekonomike në Shqipëri”. Marrëveshja me Agjencinë Franceze për Zhvillim është
nënshkruar në nëntor të vitit 2021 dhe synon marrjen e një huaje prej 50
milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim, në formën e mbështetjes
buxhetore, që do të përdoret për financimin e programit të politikave për
mbështetjen e barazisë gjinore në aksesin ndaj mundësive ekonomike në Shqipëri.
Programi ka për objektivë përmirësimi i aksesit të grave tek asetet; rritja e
mundësive të tregut të punës për gratë; forcimin e masave institucionale për
mbështetjen e politikave gjinore. Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me
77 vota pro, 25 kundër dhe 7 abstenim.
Rendi
i ditës së seancës vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e
protokollit ndryshues të Konventës për Mbrojtjen e Individëve në lidhje me
Përpunimin Automatik të të Dhënave Personale”.
Prej 35 vitesh Konventa ka shërbyer si baza e legjislacionit
ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së të dhënave e mbi 40 shteteve dhe si i
vetmi instrument ligjor detyrues në nivel ndërkombëtar. Zhvillimi i
teknologjisë dhe qarkullimi gjithnjë e më i madh i të dhënave personale në
ambientin digjital, ka sjellë nevojën e hartimit të protokollit ndryshues, me
qëllim rritjen e sigurisë të të dhënave personale si dhe harmonizimin në nivel
evropian të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, si parakusht për
shkëmbimin e të dhënave midis shteteve. Gjatë diskutimeve deputetët e opozitës
risollën shqetësimin e rrjedhjes së informacionit të dhënave sensitive në pragh
të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar. Deputeti z. Nasip Naço, në
emër të grupit parlamentar socialist argumentoi se Protokolli është një hap më
shumë në garantimin e të dhënave dhe se disa nga risitë e këtij ligji lidhen me
shtimin e së drejtës së subjekteve për të ushtruar kontroll mbi të dhënat
personale të tyre. Konventa e modernizuar do të përmbajë të njëjtin nivel
sigurie të mbrojtjes së të dhënave personale, sikurse legjislacioni evropian.
Njëkohësisht hyrja në fuqi e protokollit ndryshues të Konventës do të lehtësojë
qarkullimin e të dhënave personale midis vendeve të Bashkimit Evropian dhe
atyre që nuk janë pjesë e BE-së.
Pas
diskutimeve, ky projektligj u miratua me 83 vota pro, 17 kundër dhe 5 abstenim.
Projektvendimet
Seanca
plenare miratoi sot tre projektvendime që lidhen me miratimin e strukturave dhe
klasifikimit të pagave të tre institucioneve të krijuara në zbatim të reformës
në Drejtësi. Më konkretisht:
1.Projektvendimi
““Për disa shtesa dhe ndryshimeve në vendimin nr. 92/2017 “Për miratimin e
strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të
Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, i ndryshuar”, i cili u miratua me 102 vota
pro, 1 kundër dhe 10 abstenim;
2.Projektvendim
““Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 93/2017 “Për
miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të
personelit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, i ndryshuar”, i cili u
miratua me 102 vota pro, 1 kundër dhe 10 abstenim;
3.Projektvendim
““Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin e Kuvendit nr. 94/2017 “Për
miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të
personelit të Komisionerëve publikë”, i ndryshuar”, i cili u miratua me 102
vota pro, 1 kundër dhe 10 abstenim.
Seanca plenare i
mbylli punimet rreth orës 18:00