Komisioni i Ligjeve zhvillon mbledhje të posaçme për shqyrtimin e kandidaturave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, në votimin e raundit të parë

  • Postuar më, 16/05/2022

Në bazë të vendimit nr.9, datë 10.05.2022 të Konferencës së Kryetarëve, nën drejtimin e kryetares znj. Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut u mblodh në një mbledhje të posaçme për shqyrtimin e kandidaturave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, në votimin e raundit të parë. Në nisje të mbledhjes znj.Bushka parashtoi procedurën e ndjekur pas kërkesës së kryetarit të grupit të mazhorancës për mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, të datës 10.5.2022, ku është paraqitur kërkesa për nisjen e procedurave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. “Konferenca e Kryetarëve në mbështetje të neneve 87 dhe 88 të Kushtetutës, si dhe nenin 109 të Rregullores së Kuvendit, ka rënë dakord që të fillojë procedura parlamentare për këtë proces, duke u caktuar data e sotme si data për votimin e raundit të parë””, u shpreh znj.Bushka duke sqaruar se afati për dorëzimin e kandidaturave ishte data 15 maj 2022  dhe se nuk është depozituar asnjë kandidaturë. Më tej në cilësinë e relatorit, deputeti z.Eduart Ndreca paraqiti raportin e komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili do i përcillet për shqyrtim seancës plenare të posaçme, të thirrur sot (datë 16.5.2022, ora 17:00). Pas diskutimeve, komisioni miratoi raportin duke ia përcjellë seancës plenare. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në votim.


Share