Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përshëndeti në Konferencën “Together-Krah për Krah”, kushtuar 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-ShBA: ShBA, pasqyra ku shohin vetveten kombet që aspirojnë për liri e demokraci, zhvillim e mirëqenie, paqe e siguri, shoqëri e qeveri të pakorruptuara e pa minues të demokracisë

  • Postuar më, 16/05/2022

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përshëndeti në Konferencën “Together-Krah për Krah”, kushtuar 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe ShBA, organizuar nga Kuvendi, me nismën e Grupit Parlamentar të PS. Në konferencë morën pjesë ish Sekretari i Shtetit i ShBA, z. Mike Pompeo, Ambasadorja e ShBA në Tiranë, znj. Juri Kim, anëtarë të Këshillit të Ministrave dhe deputetë. “28 korriku i vitit 1922 është një ditë e bekuar për Shqipërinë e shqiptarët. Vetëm 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur shteti i ri shqiptar ndodhej në udhëkryq të historisë, miku më i afërt iu bëvendi që në distancë ndodhej më larg: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Janë të rralla rastet në histori, kur lindja dhe konsolidimi i një shteti ka ecur paralel me lindjen dhe forcimin e një miqësie, e cila ështëbërë parzmorja e shtetit të ri. Shtetet e Bashkuara janë dora e zgjatur e miqësisë, talenti i pashtershëm i lirisë, fuqia e ndryshimit, udhëheqësi i valëve të demokratizimit dhe integrimit të Shqipërisë e shqiptarëve drejt qytetërimit perëndimor, arkitekti i sinergjisë funksionale midis demokracisë, stabilitetit e sigurisë. Shtetet e Bashkuara janë pasqyra ku shohin vetveten kombet që aspirojnë për liri e demokraci, zhvillim e mirëqenie, paqe e siguri, shoqëri e qeveri të pakorruptuara e pa minues të demokracisë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara po mbështet me vendosmëri Kosovën e lirë e të pavarur dhe rritjen e njohjeve e të pozitës së saj në organizatat e marrëdhëniet ndërkombëtare. Shqipëria është partnere e denjë e ShBA në NATO, Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në aleancat e paqes e sigurisë, kundër agresorëve të sovranitetit e integritetit të vendeve sovrane, kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm,armiqve të lirisë e të demokracisë. Partneriteti me ShBA, mbështetur në Deklaratëne Përbashkët për Partneritet Strategjik, nënshkruar më 20 prill 2015, është gur themeli i politikës së jashtme të Shqipërisë. Zoti e bekoftë miqësinë tonë!”, theksoi në fjalën e saj Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.


Më poshtë fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, në Konferencën “Together-Krah për Krah”.

I nderuar zoti Sekretar Pompeo,

E nderuar zonja Ambasadore Kim,

Zonja e Zotërinj,

Jam e lumtur të marr pjesë dhe t’Ju përshëndes në këtë veprimtari të bukur, në kuadrin e kremtimit të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

28 korriku i vitit 1922 është një ditë e bekuar për Shqipërinë e shqiptarët.

Vetëm 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur shteti i ri shqiptar ndodhej në udhëkryq të historisë, miku më i afërt iu bë vendi që në distancë ndodhej më larg: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Besoj se nuk ka komb tjetër në botë, siç është kombi shqiptar, fati i të cilit ka qenë dhe mbetet pazgjidhshmërisht i lidhur me Shtetet e Bashkuara, miqtë e aleatët tanë më të mëdhenj.

Janë të rralla rastet në histori, kur lindja dhe konsolidimi i një shteti ka ecur paralel me lindjen dhe forcimin e një miqësie, e cila është bërë parzmorja e shtetit të ri.

Në fillim të shekullit të kaluar, miqësia me Shtetet e Bashkuara u bë garancia e shtetformimit të Shqipërisë. Presidenti Willson në Konferencën e Paqes në vitin 1919 vuri veton dhe i ktheu pavarësinë Shqipërisë.

Në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli, mbështetja e Shteteve të Bashkuara u bë garancia e pavarësisë dhe e shteformimit të Kosovës.

Vetëm këto dy fakte historike, do të mjaftonin që miqësia me Shtetet e Bashkuara të skalitej në kujtesën e kombit shqiptar e të çdo shqiptari.

Por këto fakte nuk janë të vetmet.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u rreshtua në anën e duhur të historisë, në krah të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve antifashistë.

Shqiptarët mbajtën gjallë idealet e lirisë nën regjimin totalitar, duke u frymëzuar nga liria dhe demokracia amerikane.

Me frymëzimin, shembullin dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara, ne përmbysëm rregjimin komunist, po ndërtojmë shoqërinë e institucionet demokratike dhe avancojmë me reformat integruese e modernizuese.

Me ndihmën vendimtare të Shteteve të Bashkuara, jo më shumë se 25 milje larg Versajës prej nga iu kthye pavarësia Shqipërisë,  rreth tetë dekada më vonë, u vendos fati i Kosovës.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara po mbështet me vendosmëri Kosovën e lirë e të pavarur dhe rritjen e njohjeve e të pozitës së saj në organizatat e marrëdhëniet ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara janë dora e zgjatur e miqësisë, talenti i pashtershëm i lirisë, fuqia e ndryshimit, udhëheqësi i valëve të demokratizimit dhe integrimit të Shqipërisë e shqiptarëve drejt qytetërimit perëndimor, arkitekti i sinergjisë funksionale midis demokracisë, stabilitetit e sigurisë.

Shtetet e Bashkuara janë pasqyra ku shohin vetveten kombet që aspirojnë për liri e demokraci, zhvillim e mirëqenie, paqe e siguri, shoqëri e qeveri të pakorruptuara e pa minues të demokracisë.

Shqipëria është partnere e denjë e ShBA në NATO, Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në aleancat e paqes e sigurisë, kundër agresorëve të sovranitetit e integritetit të vendeve sovrane, kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, armiqve të lirisë e të demokracisë.

Partneriteti me ShBA, mbështetur në Deklaratën e Përbashkët për Partneritet Strategjik, nënshkruar më 20 prill 2015, është gur themeli i politikës së jashtme të Shqipërisë.

Të gjithë jemi krenarë që Shqipëria ka qenë dhe do të vijojë të jetë një ndër aleatët më të palëkundur të Amerikës.

Zoti bekoftë Shqipërinë, Amerikën dhe miqësinë tonë!

Ju faleminderit!


Share