Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik seancë dëgjimore me Ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, znj. Bora Muzhaqi

  • Postuar më, 16/05/2022

Në drejtimin e kryetares znj. Flutura Açka Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, sot, në mbledhjen e tij të radhës, zhvilloi një seancë dëgjimore me Ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, znj. Bora Muzhaqi. Znj. Muzhaqi raportoi mbi veprimtarinë e Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, që nga krijimi, projektet e hartuara dhe realizuara për fëmijët e të rinjtë, masat konkrete për frenimin e emigrimit të të rinjve; projektet e ardhshme për të cilat mund të duhet mbështetja e komisionit. 

Për sa i përket projekteve për rininë, ministrja Muzhaqi përmendi , skemën e mbështetjes shtetërore të kurseve të programit për të rinj, programin kombëtar të praktikave të punës, veprimtarinë e agjensisë kombëtare të Rinisë, aktivitetet në kuadër të edukimit jo-formal, programin e ekipeve sportive, bashkëpunimin rajonal etj. Sa i përket programit të fëmijëve znj. Muzhaqi përmendi: programin e kodimit në klasën e parë, atë jashtëshkollor për fëmijët dhe të rinjtë, aplikacionet për mbrojtjen dhe ndërgjegjësimin për bullizmin on line etj. 

Më tej, ministrja Muzhaqi iu përgjigj pyetjeve dhe interesimit të anëtarëve lidhur me veprimtarinë e Ministrit për Rininë dhe Fëmijët, problematikat e hasura, synimet dhe objektivat në të ardhmen.


Share