Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti Kryetaren e Zyrës së Këshillit të Evropës, znj. Jutta Gützkow: Forcojmë sinergjinë midis ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut

  • Postuar më, 23/05/2022

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti sot Kryetaren e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj.Jutta Gützkow.

Gjatë takimit u diskutua mbi vazhdimësinë e bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës si edhe me Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë.

Kryetarja Nikolla, pasi vlerësoi bashëkëpunimin e deritanishëm, vuri në dukje kontributin e madh të Komisionit të Venecias nëpërmjet opinioneve për reformën në drejtësi, reformën zgjedhore, trajtimin e çështjeve të pronësisë etj. dhe nënvizoi se është e rëndësishme që Këshilli i Evropës të vazhdojë të kontribuojë për të mbështetur një sinergji më të fortë midis sundimit të ligjit, demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Kryetarja e Zyrës së KiE, znj. Jutta Gützkow, falenderoi Kryetaren Nikolla për vizionin e qartë politik e konkret si edhe për vlerësimin e bashkëpunimit dhe vuri në dukje se Këshilli i Evropës do të vazhdojë të mbështesë Kuvendin në hartimin e ligjeve për thellimin dhe avancimin e reformave, adresimin e çështjeve të lirisë së medias, pronësisë etj. Gjatë takimit u diskutua edhe mbi aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.  “Shqipëria mirëpriti aplikimin e Republikës së Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës dhe shpreson se ky proces do të përfundojë shumë shpejt me një rezultat pozitiv dhe Kosova do të bëhet anëtarja më e re e Këshillit të Evropës.”, vuri në dukje znj. Nikolla. Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, dhe Kryetarja e Zyrës së Këshillit të Evropës, znj. Jutta Gützkow, biseduan edhe mbi agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe e dënuan atë si një shkelje flagrante të Statutit të Këshillit të Evropës dhe Konventës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kryetarja Nikolla vuri në dukje se Shqipëria qëndron bashkë me 46 vendet e tjera anëtare të KiE në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. 



Share