Kuvendi mblidhet në seancë plenare, miratohen dy projektrezoluta dhe një projektligj

  • Postuar më, 23/05/2022

23 maj 2022

Në drejtimin e Kryetares, znj. Lindita Nikolla, Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare. Në nisje të seancës, Kryeparlamentarja Nikolla ndër të tjera njoftoi se në Konferencën e Kryetarëve nuk u arrit mirëkuptimi për t’u përfshirë në rendin e ditës kërkesa e bërë nga një grup prej 10 deputetësh të pakicës parlamentare për zhvillimin e një mocioni me debat me Kryeministrin Edi Rama lidhur me një deklaratë të bërë prej tij në një intervistë dhënë në Bruksel lidhur me procesin e integrimit europian.

Në bazë të Rregullores së Kuvendit, Kryetarja Nikolla njoftoi për zhvillimin e një debati të hapur për çështjen. Kërkesa u prezantua nga deputeti z.Petrit Vasili, i cili mes të tjerash theksoi se debati nuk i shërben opozitës, por Shqipërisë dhe qytetarëve, ndërkohë që deklaratën e Kryeministrit e cilësoi provokative dhe se kishte për qëllim pengimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, z. Taulant Balla, në fjalën e tij, theksoi se në çdo raport të BE-së thuhet se Shqipëria ka përmbushur 100% kushtet dhe kriteret që të mbahet Konferenca e parë ndërqeveritare, e cila pritet të mbahet në Qershor. “Kam 15 vite që ndjek PE në delegacionet përkatëse të Kuvendit, por kurrë më parë në PE nuk ka pasur një unanimitet. 519 anëtarë nga grupet kryesore politike votuan rezolutën, për mbajtjen e menjëhershme të Konferencës së parë ndërqeveritare mes BE dhe Shqipërisë. Kjo është diçka që duhet të na bëjë krenarë”, u shpreh z.Balla.

Pas diskutimeve, kërkesa për mocion me debat u rrëzua me votim të hapur, pasi morri 10 vota pro me 63 vota kundër.

Më pas, diskutimet vijuan sipas rendit të ditës, ku u shqyrtuan projektrezolutat e dy institucioneve të pavarura lidhur me raportimin e veprimtarisë së tyre përgjatë vitit 2021, si dhe projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.

Projektrezolutat

Diskutimet nisën me raportimin e veprimtarisë vjetore të Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe Institutit të Statistikave për vitin 2021. Drejtueset e këtyre institucioneve, znj. Armela Krasniqi për AMA dhe  znj. Elsa Dhuli për INSTAT, raportuan në Kuvend për veprimtaritë e kryer nga institucionet që drejtojnë. Përmes projekt-rezolutës prej 14 pikash së paraqitur nga Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Kuvendi ndër të tjera i rekomandoi AMA-s për vitin 2022: bashkëpunimin me të gjithë aktorët dhe faktorët përkatës, përfshi edhe organizatat ndërkombëtare si OSBE, KiE etj, për rishikimin e Kodit të Transmetimit; të propozojë ndryshimet e nevojshme ligjore lidhur me përmirësimin e legjislacionit mbi reklamat publike në përputhje me standardet ndërkombëtare; forcimi i mbikëqyrjes lidhur me çështjet e pronësisë dhe kontrollit të OSHMA-ve; dhënien e kontributin e saj gjatë fazës së rishikimit në Kuvend të ndryshimeve ligjore të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar“, si për sa i takon krijimit të një kuadri rregullator për mediat online si një realitet i ri në industrinë mediatike, ashtu edhe të adresimit të opinionit të Komisionit të Venecias, për të bërë të mundur që këto ndryshime të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe parimet e lirisë së medias; të koordinojë punën edhe me institucionet e tjera që duhet të kontribuojnë për të bërë të mundur transpozimin e pjesshëm, brenda vitit 2022, të Direktivës së BE-së 2010/13/BE “Për koordinimin e disa dispozitave të parashikuara me ligj, rregullore apo akte administrative në shtetet anëtare, lidhur me ofrimin e shërbimit të transmetimeve me zë dhe figurë”, lidhur me mbrojtjen e fëmijëve, reklamën, juridiksionin, aksesueshmërinë e personit me aftësi të kufizuara etj;  të vijojë të kërkojë marrjen e hapave konkretë e të shpejtë në lidhje me zgjidhjen e problemit të mungesës së interpretëve/përkthyesve për transmetimin me gjuhën e shenjave; të vijojë të luaj një rol proaktiv, për të bërë të mundur forcimin dhe mbrojtjen e të drejtave të punës dhe sociale të gazetarëve si një çështje që ka ndikim të drejtpërdrejtë në lirinë e medias dhe kërkesë e përsëritur në Raportet e Progresit të KE-së; të jetë më pro-aktive në rastet e dhunimit verbal apo fizik në krye të detyrës të gazetarëve; të monitorojë intensivisht dhe në vijimësi veprimtarinë e RTSH në lidhje me përmbushjen e detyrimeve të tij si televizioni publik kombëtar dhe si një institucion që financohet me taksat e publikut shqiptar; etj.  Projektrezoluta u miratua nga Kuvendi me 78 vota pro,  35 kundër dhe  1 abstenim.

Diskutimet vijuan me shqyrtimin e raportit të INSTAT për veprimtarinë e vitit 2021. Përmes një projektrezolute prej  8 pikash të paraqitur nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat, Kuvendi i rekomandoi INSTAT mes të tjerash për përmirësimin e punës së tij përgjatë vitit 2022: përmirësimin e rolit të institucionit si koordinator i statistikave kombëtare dhe të ndërmarrë masa konkrete për zgjerimin e Sistemit Kombëtar Statistikor me institucione të tjera publike që prodhojnë statistika zyrtare; intensifikimin e punës nëpërmjet reflektimit të përmirësimeve të mundshme të rezultuara nga gjetjet e Pilot Censusit,  konsolidimit të të gjithë aplikacioneve, manualeve, materialeve të trajnimit dhe materialeve të tjera mbështetëse, që do të bëjnë të mundur realizimin e Censusit të Popullsisë dhe të Banesave brenda vitit 2022; sigurimin e mbështetjes me burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare të fushatës së informimit të publikut për kryerjen e Censusit të Popullsisë dhe Banesave, si dhe vazhdimin e takimeve me pushtetin vendor, për një identifikim të saktë të mundësive dhe elementëve që do të mund të sigurohen apo vlerësimin e risqeve për rastet kur njësitë vendore nuk mund ta mbështesin Censusin; përmirësimin e cilësisë së të dhënave të regjistrave administrativë që lidhen me statistikat bujqësore si dhe të finalizojë procesin e hartimit të projektligjit të ri “Për censin e bujqësisë dhe fermave bujqësore” duke mundësuar përafrimin e standardeve të reja, sipas rekomandimeve të Programit Botëror për Censuset e Bujqësisë 2020; përafrimin e treguesve statistikorë për migracionin e jashtëm dhe azilin me legjislacionin e BE-së, si dhe të nënshkruajë brenda vitit 2022 memorandumin të ri të bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, pjesë e të cilit do të jetë dërgimi i të dhënave për Shtetasit Shqiptarë me vendbanim jashtë vendit; përmirësimin e mëtejshëm të përputhshmërisë për sa i përket përafrimit me standardet ESA 2010 të burimit të të ardhurave kombëtare bruto (GNI), si dhe të fillojë hartimin e Inventarit të GNI, në bazë të përshkrimit ekzistues të burimeve dhe metodave të përdorura për të, etj. Projektrezoluta u miratua nga Kuvendi me 79 vota pro,   30 kundër dhe 5  abstenim.

Projektligji

Në seancën e sotme Kuvendi shqyrtoi projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.

Gjatë prezantimit të projektligjit në Kuvend, ministrja e Kulturës znj. Elva Margariti, shpjegoi thelbin e marrëveshjes, rolin e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, i cili do të funksionojë sipas ligjit shqiptar për OJF-të dhe sipas kompetencave që i jep ligji nr.27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, si dhe theksoi se modeli që po aplikohet do i hapë udhën një mundësie të re të menaxhimit të trashëgimisë kulturore, që ka rezultuar i suksesshëm ndër vite në shumë sitte të trashëgimisë botërore.  “Butrinti ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pronë e shtetit shqiptar. Nuk do të jepet me koncesion; nuk ka qenë në asnjë moment asnjë nga fjalët kyçe të hartimit të kësaj marrëveshjes dhe të vizionit , paçka se është dëgjuar rëndom në këto javët e fundit. Do të administrohet nga shteti; përmes një Fondacioni, një fondacion ky i ngritur midis Ministrisë së Kulturës dhe një partneri strategjik, në këtë rast është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvilllim. Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit është një fondacion shqiptar, i përgjigjet ligjeve shqiptare dhe ka vetëm një qëllim: të mbrojë dhe të promovojë Butrintin”, theksoi znj.Margariti.

Gjatë diskutimeve parlamentare, deputetët e opozitës kundërshtuan projektligjin dhe marrëveshjen për menaxhimin e Butrintit, pasi sipas tyre qeveria po e jep Butrintin me koncesion një fondacioni privat dhe se praktika që po ndiqet nuk është praktikuar në asnjë vend të botës. Deputetët e shumicës parlamentare argumentuan gjatë diskutimeve të tyre se projektligji është konsultuar me UNESCO dhe se mbi bazën e marrëveshjes, Butrinti do të menaxhohet nga një fondacion i posaçëm, jo fitimprurës, i cili do të funksionojë sipas legjislacionit në fuqi, ku përcaktohen qartë detyrimet e transparencës në performancë dhe menaxhimin e fondeve, ndërkohë që të ardhurat e gjeneruara nga marrëveshja do ti nënshtrohen auditimit nga një prej kompanive më të mëdha audituese. Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me vota 75 pro, 18 kundër dhe 1 abstenim.

Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 20:15.


Share