Kuvendi u mblodh në seancë plenare të posaçme, u krye Votimi i Dytë i Zgjedhjes së Presidentit të Republikës

  • Postuar më, 23/05/2022

Në drejtimin e kryetares znj. Lindita Nikolla, Kuvendi u mblodh ditën e sotme në seancë plenare të posaçme, për zhvillimin e votimit të dytë  për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.

Në nisje të seancës, kryetarja znj. Nikolla njoftoi se pas ezaurimit të votimit të parë pa kandidatë, bazuar ne Nenet 86, 87 dhe 88 të Kushtetutës dhe Nenin 109 të Rregullores së Kuvendit, Konferenca e Kryetarëve, me Vendimin nr. 11, të datës 17.05.2022, caktoi zhvillimin e votimit të dytë të votimit për zgjedhjen e Presidenti të Republikës më datën 23 maj 2022. 

Më pas, deputeti z.Eduard Ndreca, në cilësinë e relatorit paraqiti përpara Kuvendit raportin e miratuar nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për çështjen e zgjedhjes së Presidentit. 

Z. Ndreca sqaroi se nuk është paraqitur asnjë kandidaturë brenda afateve ligjore të përcaktuara, çka bën që votimi i dytë i zgjedhjes së Presidentit të kalojë pa asnjë emër dhe pa votim.

Në përfundim të seancës, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, njoftoi se, bazuar në Raportin e Komisionit të Ligjeve, raundi i dytë konsiderohet i ezauruar dhe ftoi Konferencën e Kryetarëve për t’u mbledhur dhe caktuar datën e votimit të tretë për zgjedhjen e Presidenti të  Republikës.

Seanca i mbylli punimet rreth orës 20:25.


Share