Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”

  • Postuar më, 24/05/2022

Në drejtimin e kryetarit z. Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat  në mbledhjen e tij të radhës shqyrtoi në cilësinë e komisionit për dhënie projektligjin “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, për të cilin ishte ftuar znj.Almira Xhembulla, zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit, stafi teknik i MTM dhe MFE. Gjatë prezantimit të saj znj. Xhembulla paraqiti thelbin e ndryshimeve ligjore të propozuara dhe argumentoi arsyet e kërkesës për shtyrjen e afatit edhe me 5 vite të ndalimit të gjuetisë në të gjithë vendin. Sipas zëvendësministres, zbatimi i dy moratoriumeve të mëparshme, përkatësisht me ligjet nr.7/2014 dhe nr.61/2016, “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë” duke ndaluar gjuetinë për një periudhe prej 7 vitesh ka mundësuar një rikthim dhe përmirësim të situatës për faunën e egër në vendin tonë.

Znj.Xhembulla ndër risitë e projektligjit përmendi përcaktimin e  institucioneve përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të moratoriumit.  Znj.Xhembulla nënvizoi më tej se moratoriumi 5-vjeçar parashikohet të shërbejë për rimëkëmbjen e popullatave në të gjitha llojet e shpendëve, duke krijuar mundësinë për një pasurim të ndjeshëm të bio-diversitetit në Shqipëri, por dhe një rritje të plotë të eko-turizmit që lidhet me aktivitete të tilla si: vizitorët vrojtues të shpendëve apo turet që lidhen me dashamirësit e natyrës dhe mjedisit.

Deputetja znj. Antoneta Dhima në cilësinë e relatores vlerësoi rëndësinë e nismës në pasurimin e biodiversitetit në vendit tonë dhe efektet e moratoriumeve të deritanishme në pasurimin e faunës së egër, objekt gjuetie. Më tej znj.Dhima sqaroi përcaktimet e bëra në ligj, lidhur me institucionet përgjegjëse për zbatimin e moratoriumit, masat e gjobave, rastet kur do të lejohet gjuetia, etj.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Share