Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përshëndet në konferencën kombëtare të nivelit të lartë “Votimi nga jashtë vendit, koha është tani!”, organizuar nga KQZ dhe OSBE: Të fillojmë pa humbur kohë përgatitjen e paketës ligjore për votimin nga jashtë vendit
- Postuar më, 24/05/2022

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita
Nikolla, mbajti sot një fjalë përshëndetëse në konferencën kombëtare të nivelit
të lartë “Votimi nga jashtë vendit, koha është tani!”, organizuar nga KQZ dhe
OSBE. Në Konferencë ishin të pranishëm edhe Ambasadorja e ShBA, znj. Yuri Kim,
Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Vincenzo Del Monaco, Zëvendësshefi
i Seksionit Politik të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, z. Jean-Baptiste Le
Bras, deputetë, përfaqësues të partive politike, ambasadorë dhe përfaqësues të
trupit diplomatik, etj.
Pasi falenderoi KQZ dhe OSBE për
organizimin e kësaj Konference, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla,
vuri në dukje premisat kushtetuese, politiko-demografike, politiko-kulturore
dhe dobinë praktike të realizimit të votimit nga jashtë vendit.
“Realizimi i votimit nga jashtë vendit
duhet parë edhe në kontekstin e parimeve themelore të trashëgimisë zgjedhore
evropiane, të cilat janë udhë harta për të ndërtuar një sistem demokratik:
zgjedhje universale, të barabarta, të lira, të fshehta, të drejtpërdrejta.
Duke qëndruar në kontekstin kushtetues,
legjislacioni zgjedhor duhet “të pajtojë” të drejtën për të zgjedhur e për t’u
zgjedhur me të drejtën e lëvizjes së lirë jashtë vendit. Asnjëra nuk duhet të
përjashtojë tjetrën. Programet qeveritare për mbështetjen e investimeve apo
lehtësimin e kthimit virtual a fizik të emigrantëve duhet të vijohen nga masat
për lehtësimin e pjesëmarrjes së tyre në proceset politike dhe elektorale.
Impakti ekonomik dhe fiskal i emigrantëve duhet të plotësohet edhe nga impakti
i tyre politik dhe elektoral.
Referuar "Kodit të Praktikave të Mira
në Çështjet zgjedhore", i cili përmban parimet kryesore të sistemeve
elektorale evropiane, ndryshimet ligjore në legjislacionin zgjedhor duhet të
bëhen të paktën një vit para zgjedhjeve të radhës. Do të sugjeroja që ndryshimet që do të
rekomandohen nga kjo tryezë të shtrihen në afate kohore të gjata, në mënyrë që
të mos të detyrohemi të bëjmë reformë zgjedhore sa herë që kemi zgjedhje.
I kërkoj përfaqësuesve të opozitës të sjellin sa më parë propozimet për përbërjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Si Kryetare e Kuvendit, do të nxis grupet parlamentare, Komisionin e Reformës dhe deputetët të fillojmë pa humbur kohë përgatitjen e paketës ligjore, e cila do të mundësojë për herë të parë votimin e shtetasve nga vendbanimi jashtë Shqipërisë.”, theksoi Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.
Më poshtë fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, në konferencën kombëtare të nivelit të lartë “Votimi nga jashtë vendit, koha është tani!”, organizuar nga KQZ dhe OSBE
Zonja dhe zotërinj,
Ju falenderoj për organizimin e kësaj
Konference si edhe mundësinë për të ndarë bashkarisht disa vlerësime dhe ide
mbi votimin e qytetarëve shqiptarë nga jashtë vendit.
Praktika e votimit të jo-rezidentëve ka
një histori 150-vjeçare. Ajo nisi me miratimin nga shteti amerikan i Wisconsin të ligjit të parë që mundësoi votimin nga “jashtë
vendit”, duke u dhënë të drejtë ushtarëve të tij që luftonin në Luftën Civile
të “votonin në distancë”.
Aktualisht, rreth 115 shtete në botë, prej
të cilëve 41 në Europë, u lejojnë shtetasve të tyre të votojnë nga jashtë
vendit.
Disa vende e kanë të përcaktuar në
kushtetutë të drejtën për të votuar të shtetasve jo-rezidentë, kurse të tjerë e
kanë të përcaktuar në ligje specifike.
Premisa e parë nga duhet të nisemi në zgjidhjen
e kësaj çështjeje është garantimi i të drejtës kushtetuese të banorëve
jo-rezidentë.
Kjo ka të bëjë me ofrimin e lehtësive për
realizimin në praktikë të së drejtës kushtetuese të zgjedhjes një pjese të
konsiderueshme votuesish, të cilët jetojnë jashtë vendit.
Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 45,
garanton se çdo shtetas i cili ka mbushur moshën 18 vjeç, ka të drejtën të
zgjedhë e të zgjidhet.
Kushtetuta garanton gjithashtu lirinë e
lëvizjes së qytetareve, brenda e jashtë vendit. Duke qëndruar në kontekstin
kushtetues, legjislacioni zgjedhor duhet “të pajtojë” të drejtën për të
zgjedhur e për t’u zgjedhur me të drejtën e lëvizjes së lirë jashtë vendit.
Asnjera nuk duhet të përjashtojë tjetrën.
Duhet të jemi të vetëdijshëm se e drejta
kushtetuese e zgjedhjes nuk përjashton votimin e shtetasve shqiptarë nga jashtë
vendit.
Por mungesa e akteve rregullatore, e
logjistikës dhe e infrastrukturës, e kanë
bërë praktikisht të pamundur realizimin e kësaj të drejte.
Realizimi i votimit nga jashtë vendit
duhet parë edhe në kontekstin e parimeve themelore të trashëgimisë zgjedhore
evropiane, të cilat janë udhëharta për të ndërtuar një sistem demokratik:
zgjedhje universale, të barabarta, të lira, të fshehta, të drejtpërdrejta.
Komisioni i Venecias, në vitin 2011, ka
rekomanduar se lejimi dhe mundësimi i votimit nga jashtë, kur numri i
emigrantëve është i konsiderueshëm, është i rëndësishëm për përfaqësimin e
drejtë.
Shqipëria, siç është e njohur për të
gjithë ne, është ndër vendet me potencial e fluks të lartë emigrimi dhe
komunitete të mëdhenj emigrantësh, në raport me numrin e popullsisë.
Prandaj premisa e dytë nga duhet të nisemi
në diskutimet dhe vendim-marrjen për votimin e qytetarëve tanë nga jashtë
vendit lidhet me aspektet politiko-demografike.
Premisa e tretë është premisa
politiko-kulturore. Me këtë kam parasysh që komunitetet e emigrantëve shqiptarë
që jetojnë jashtë vendit, kanë fituar një kapital të konsiderueshëm social,
vlera e standarde perëndimore. Siç ka
ndodhur edhe me komunitetet e emigrantëve në vendet e tjera dërguese, ky
kapital dhe këto vlera mund dhe duhet të përdoren edhe në fuqizimin e
institucioneve dhe proceseve demokratike në vendin e origjinës.