Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti delegacionin e Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Evropian: Integrimi evropian dhe reformat demokratizuese e transformuese, prioritet i Kuvendit

  • Postuar më, 24/05/2022

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti sot delegacionin e Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, të kryesuar nga Kryetari, z. David McAllister. Në përbërje të delegacionit ishin edhe eurodeputetët, znj. Željana Zovko, z. Thomas Waitz dhe z. Angel Dzhambazki.

Kryetarja Nikolla falenderoi z. McAllister dhe Komitetin e Jashtëm për kontributin për pasqyrimin në Parlamentin Evropian të arritjeve transformuese, demokratizuese dhe integruese të Shqipërisë dhe i informoi mbi punën që bëhet nga Kuvendi për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian dhe thellimin e avancimin e reformave. Znj. Nikolla vuri në dukje se “Integrimi evropian dhe avancimi reformave janë prioritetet e Shqipërisë. Kuvendi po punon për të garantuar legjitimitetin demokratik të procesit të integrimit si edhe bashkëpunimin midis shumicës dhe opozitës parlamenmtare për avancimin e reformës në drejtësi si edhe kryerjen e reformave zgjedhore dhe reformës territoriale. Konsensusi midis shumicës dhe opozitës për reformën zgjedhore dhe reformën territoriale është një garanci për suksesin e tyre. Me kthimin e opozitës në Kuvend është normalizuar e gjallëruar debati parlamentar. Unë si Kryetare e kam shpallur që në fillim objektivin tim që opozita të jetë aktive dhe zëri i saj në Kuvendin e Shqipërisë të jetë i qartë dhe i fortë, në shërbim të së ardhmes evropiane dhe evro-evro-atlantike të vendit.  Pa një opozitë proevro-atlantike të fortë nuk ka qeverisje të shëndetshme. Opozita gëzon të gjitha të drejtat kushtetuese në Kuvend, për të kontrolluar shumicën dhe qeverisjen, nëpërmjet mocioneve, interpelancave dhe komisioneve hetimore, dy prej të cilave, të ngritura me kërkesë të opozitës e kanë përfunduar veprimtarinë e tyre.”

Kryetari i Komitetit, z. David McAllister, falenderoi Kryetaren e Kuvendit, znj. Nikolla, për arritjet e jetës parlamentare, vlerësoi normalizimin e jetës parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë dhe faktin që opozita është kontribuese brenda sistemit. Kryetari McAllister rikonfirmoi mbështetjen e Komitetit të Jashtëm dhe të Parlamentit Evropian për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë sa më shpejt. Shqipëria e ka merituar mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare, por tashmë kjo varet nga rrethana që nuk kanë të bëjnë me arritjet e Shqipërisë, vuri në dukje z. McAllister. Ai rekomandoi që Shqipëria dhe Kuvendi të vijojnë punën për avancimin e reformave si edhe plotësimin e të gjitha rekomandimeve të Raportit të Progresit.

 


Share