Komisioni për Politikën e Jashtme i Kuvendit të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja, znj. Mimi Kodheli, zhvilloi një takim me delegacionin e Komisionit për Integrimin Europian të Kuvendit të Republikës së Kosovës

  • Postuar më, 24/05/2022

Sot, më 24 maj 2022, Komisioni për Politikën e Jashtme i Kuvendit të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja, znj. Mimi Kodheli, zhvilloi një takim me delegacionin e Komisionit për Integrimin Europian të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga Kryetarja e këtij komisioni znj. Rrezarta Krasniqi. 

Zonja Kodheli pas i uroi mirseardhjen delegacionit kosovar theksoi rëndësinë e kontakteve intensive midis parlamentarëve të të dy vendeve, veçanërisht në momentet aktuale të sfidave ndërkombëtare, europiane e rajonale, të cilat prekin drejtpërdrejt apo tërthorazi edhe Shqipërinë e Kosovën. Në këto momente kritike, rruga që ne kemi zgjedhur si të vetmen alternativë për të ecur drejt së ardhmes është ajo e promovimit, ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave demokratike euro-atlantike, tha ajo. 

Zonja Krasniqi duke falenderuar mikpritësit vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme vllazërore të Shqipërisë ndaj gjithë rrugëtimit të Kosovës përgjatë procesit të njohjes sikurse dhe drejt konsolidimit të saj institucional e demokratik. Në këtë kuadër, ajo theksoi, midis të tjerash, rëndësinë e bashkëpunimit sa më të ngushtë me synim mbështetjen e kërkesës së Kosovës për tu pranuar në Këshillin e Europës, nga të gjithë vendet e saj anëtare.     

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë përkrahën plotësisht kërkesën e Kosovës për tu antarësuar në KiE duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për promovimin e aspiratave integruese euro-atlantike të Kosovës si një prioritet absolut që shkon përtej të gjitha dasive politike.

Gjatë takimit bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi rrugët e koordinimit të veprimeve diplomatike nëpërmjet planeve dhe agendave konkrete për një lobim sa më intensiv me synim njohjen e Kosovës edhe nga ato vende europiane që, për arsye të tyre të brendëshme apo gjeostrategjike, vazhdojnë të jenë skeptike e kundërshtuese ndaj saj. 

Parlamentarët e të dy Kuvendeve biseduan gjithashtu mbi nevojën e rritjes së sensibilizimit ndërkombëtar në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, ku ato janë bërë viktimë e mohimit dhe shkeljeve sistematike e serioze nga autoritetet serbe. 

Tema të rëndësishme të takimit ishin edhe forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërparlamentar midis dy vendeve, nevoja aktivizimit të mekanizmave dy e shumëpalëshe dhe e projekteve të përbashkëta, forcimi i punës me diasporën mbarëshqiptare nëpër botë etj.


Share