KKIE zhvilloi takimin me temë “Përgjigje mbi pyetjet e ngritura nga anëtarët e KKIE gjatë takimit të datës 18 Maj 2022 mbi ecurinë në luftën kundër korrupsionit dhe zbatimi i rekomandimeve të Komisionit Europian në Raportin e vitit 2021 për Shqipërinë si dhe Nënkomitetit BE-Shqipëri për Drejtësi, Liri dhe Siguri 2021”
- Postuar më, 24/05/2022

24 maj 2022
Këshilli Kombëtar për Integrimin
Europian (KKIE zhvilloi takimin me temë “Përgjigje mbi pyetjet e ngritura
nga anëtarët e KKIE gjatë takimit të datës 18 Maj 2022 mbi ecurinë në luftën
kundër korrupsionit dhe zbatimi i rekomandimeve të Komisionit Europian në
Raportin e vitit 2021 për Shqipërinë si dhe Nënkomitetit BE-Shqipëri për
Drejtësi, Liri dhe Siguri 2021”. Në këtë takim u vijua me marrjen e përgjigjeve
të pyetjeve të drejtuara nga anëtarët e KKIE në mbledhjen e kaluar për z.Ulsi
Manja, ministër i Drejtësisë, z. Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm dhe z.
Arben Kraja, Drejtues i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit
të Organizuar.
Në nisje të takimit, Kryetarja e
KKIE-së, znj. Jorida Tabaku, duke marrë shkas nga vizita në Shqipëri e
kryetarit të Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, z David
McAllister, parashtroi se Rezoluta e miratuar nga Parlamenti Europian do të
jetë së shpejti objekt pune e KKIE, ku do të thirren në raportim edhe Ministrja
për Europën dhe Punët e Jashtme dhe strukturat të tjera përgjegjëse, për të
pasur një debat sa më të zgjeruar lidhur me gjetjet e rezolutës mbi çështjet e
zgjedhjeve, reformën në drejtësi, luftën ndaj korrupsionit, etj.
Më pas, ministri
i Drejtësisë, z. Ulsi Manja iu përgjigj 3 pyetjeve të adresuara ndaj tij në
mbledhjen e kaluar të KKIE, ku mes të tjerash sqaroi se kërkesat e bëra ndaj
organit të prokurorisë, nuk janë kërcënime apo ndikime mbi drejtësinë, pasi si
përfaqësues i Këshillit të Ministrave ka detyrimin të paraqes shqetësime lidhur
me shkallën e realizimit të rekomandimet të lëna mbi gjendjen e kriminalitetit
dhe rritjen e performancës së prokurorëve dhe gjyqtarëve. “Të kërkosh
respektimin e afateve procedurale, tu kërkosh shpejtimin e hetimeve të filluara
në respekt të Kodit të Procedurës Penale, nuk mendoj se përbën cënim të
pavarësisë së këtyre institucioneve”, nënvizoi z.Manja. I pyetur për hetimet e
nisura nga prokuroria, ndër të tjera ministri Manja vlerësoi se “Nëse hetimet
shkojnë në drejtimin e duhur dhe nëse ka arritur të përçohet sinjali tek
opinioni publik se drejtësia nuk kontrollohet më nga politika, unë e them me
krenari se Reforma në Drejtësi e paska arritur qëllimin”. I pyetur në lidhje me hartën e re gjyqësore,
z.Manja sqaroi se procesi duhet të kishte përfunduar në mars të vitit 2020, si
detyrim që buron nga ligji, ku përcaktohet se KLGj i propozon ministrit të
Drejtësisë hartë e re gjyqësore, në përputhje me kriteret e përcaktuara në
ligj. Z.Manja sqaroi se propozimi i ardhur nga KLGJ për hartën e re
territoriale, i është nënshtruar një procesi të gjerë konsultimi publik dhe
janë zhvilluar 8 tryeza konsultimi, ku janë marrë komente dhe sugjerime lidhur
me propozimin e KLGJ për reduktimin e numrit të gjykatave të shkallës së parë,
gjykatave të Apelit dhe atyre Administrative të shkallës së parë. Z.Manja sqaroi se Ministria e Drejtësisë i ka
bërë KLGJ disa sugjerime lidhur me Gjykatat e Shkallës së Parë të Sarandës dhe
Krujës, numrin e Gjykatave të apelit, si dhe Gjykatave të Shkallës së parë
administrative, si dhe i ka kërkuar KLGJ që qytetarëve t’iu garantohet se do të
vijojnë të marrin të gjitha shërbimet, me përjashtim të gjykimit, në godinat
ekzistuese pavarësisht nëse ato do të shkrihen. Z.Manja sqaroi se pas ezuarimit
të fazave të konsultimit publik, KLGJ pret dakordësinë e Ministrisë së Drejtësisë
për draftimin e variantit final, i cili më pas do të kalojë për vlerësim në
Ministrinë e Financave, Prokurorinë e Përgjithshme dhe KLP përpara miratimit
nga Këshilli i Ministrave.
Më pas, Kryeprokurori z. Olsian
Çela, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve në KKIE ku mes të tjerash u shpreh se
Kushtetuta, ligji dhe trajtimi financiar, kanë krijuar garancitë e nevojshme
për magjistratët të veprojnë në pavarësi të plotë pavarësisht faktorëve të
jashtëm. “Për sa i përket nevojës për
ndryshime ligjore, paketa ligjore që ne kemi paraqitur synon pikërisht
adresimin e çështjeve që lidhen me soliditetin e prokurorisë. Tendencat
centrifugale që natyrshëm decentralizimi i thekson, dobësojnë funksionalitetin
e organit të Prokurorisë, ndaj ka nevojë për ndërtimin e mekanizmave lidhës mes
prokurorive të shkallëve më të ulëta dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ashtu si
dhe mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Këto
synojnë rritjen e kohezionit dhe forcimin e llogaridhënies në kuadër të vlerësimit
të performancës, si të prokurorive ashtu dhe të drejtuesve të tyre”, u shpreh z. Çela, duke vlerësuar
mbështetjen e deritanishme të Kuvendit në aspektin financiar, por dhe ato që
lidhen me burimet njerëzore. “Megjithatë
me miratimin e hartës së re gjyqësore mund të na krijohet një panoramë të re
për nevojën e një mbështetjeje nga ana e Kuvendit dhe natyrisht ne do i
paraqesim ato në Kuvend në kohën e duhur”, u shpreh Kryeprokurori duke
vlerësuar se harta e re gjyqësore do të krijojë
mundësi për një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së funksionimit të
prokurorive, por njëherazi është bërë e domosdoshme në kushtet e vakancave të
shumta që janë krijuar në sistem, ndërkohë që reduktimi i numrit të prokurorive
do të lejonte një shpërndarje më të barabartë të ngarkesës mes zyrave. Në
lidhje me pyetjen mbi luftën ndaj krimit, z. Çela u shpreh se janë hartuar
plane konkrete veprimi, si edhe udhëzime të përgjithshme që përcjellin
prioritetet e luftës ndaj krimit, që t duhet të merren në konsideratë nga drejtuesit
dhe prokurorët dhe mbi të cilat prokuroritë kanë detyrimin e raportimit çdo tre
muaj për gjendjen e kriminalitet. Në lidhje me bashkëpunimin me SPAK, z.Çela e
vlerësoi si mjaft të mirë dhe sqaroi se në vitin 2020 është nënshkruar një akt
për koordinimin institucional për të krijuar bazën e nevojshme për bashkëpunim
efikas. “Nuk kemi hasur ndonjë problem në mënyrën si prokuroritë e
juridiksionit të përgjithshëm kanë ndërvepruar me atë të posaçme. Vetëm gjatë
vitit 2021 janë dërguar për kompetencë në këtë prokurori mbi 90 procedime
penale prej të cilave 69 janë regjistruar prej saj, çka vlerësoj se tregon për
një marrëdhënie dinamike e të frytshme”, sqaroi z.Çela.
Në lidhje me pyetjet e bëra mbi luftën ndaj korrupsionit z. Çela u shpreh se shifrat janë premtuese
në lidhje me eficiencën e goditjes, por vlerësoi se duhet bërë më shumë, qoftë në drejtim të raportimit të tij, por edhe në drejtim të
pro-aktivitetit në hetim nga agjencitë ligjzbatuese. Ndërsa për sa i përket pastrimit të parave,
Kryeprokurori vlerësoi se me gjithë masat e ndërmarra në disa aspekte dhe një
përmirësimi të shifrave vitin e shkuar, ende nuk bëhet mjaftueshëm në këtë
drejtim. “Të gjitha vlerësimet janë për nivele shqetësuese të qarkullimit të
parave që burojnë nga aktivitete të paligjshme, ndërkohë që forca goditëse nuk
është ende në nivelin e duhur. Si Prokurori e Përgjithshme kemi bërë përpjekje
maksimale në këtë drejtim si në drejtim të ngritjes së strukturave të
specializuara, mbështetjes së trajnimit të tyre si dhe forcimit të mekanizmave
të bashkëpunimit ndërinstitucional”, u shpreh z.Çela.
I pyetur për hetimet proaktive,
z.Çela sqaroi se udhëzimi i përgjithshëm që është miratuar për ndjekjen e
rekomandimeve të përgjithshme të Këshillit të Ministrave e përfshin këtë aspekt
si një nga kërkesat kryesore për prokurorët për t’u ndjekur në punën e tyre.
“Rritja në masën 3.9% e tyre në vitin e kaluar apo dyfishimi i hetimeve
kryesisht, tregon që me gjithë vështirësitë ka një përpjekje pozitive për të
bërë progres në këtë drejtim”, vlerësoi kreu i prokurorisë.
Më tej i pyetur nëse ka nevojë
për ndryshime ligjore në nenet 280 apo 287 të Kodit të Pocedurës Penale, z.
Çela vlerësoi se nuk ka nevojë, pasi dispozitat janë të qarta dhe nuk krijojnë
pengesa për prokurorët. “Nisja e hetimeve kryesisht në fakt duhet të ishte
ndikuar nga rritja e pavarësisë së prokurorëve. Janë ata që vendosin për këtë
dhe kuadri ligjor ua krijon këtë mundësi”, sqaroi ai.
Në lidhje me pyetjen e bërë për
rezultatin e denoncimeve të bëra nga Ministria e Mbrojtjes, z.Çela sqaroi se 7
rastet e depozituara, Prokuroria e Përgjithshme ia ka nisur çështjet për hetim
prokurorive të Tiranës, Elbasanit e Krimeve të Rënda. Nga verifikimet deri tani
në dy raste është vendosur pushimi, në dy raste janë dërguar për gjykim, në një
rast është pezulluar, ndërsa në dy raste pritet përfundimi i verifikimeve. Më
pas kryeprokurori iu përgjigj pyetjeve mbi strukturën e specializuar të hetimit
financiar dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, si dhe objektivat
strategjikë të institucionit që drejton.
Në fund, z.Arben Kraja, Drejtues
i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) iu
përgjigj pyetjeve që iu drejtuan mbledhjen e fundit të KKIE. Duke iu përgjigjur
pyetjeve për rendin e ndjekjeve penale, prioritetet apo planin e punës, z.Kraja
nënvizoi se puna e SPAK orientohet nga Rezoluta e Kuvendit, rekomandimet e
Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit, rekomandimet e BE-së.
Në lidhje me pyetje se a ka nevojë për ndryshime të tjera ligjore, z. Kraja u
shpreh se parimisht është kundër ndryshimeve të shpeshta ligjore, sepse
krijojnë pasiguri dhe problematika jo vetëm për ata që zbatojnë ligjin, por dhe
për ato që e pësojnë nga ligji. “Ne kemi paraqitur disa propozime për ndryshime
të reja ligjore, janë duke u diskutuar me Komisionin e Ligjeve bashkë me
partnerët ndërkombëtare. Ajo që synojmë apo kemi kërkuar ka të bëjë me sensin
që të forcohet siguria dhe garancia e strukturës në vazhdim të pavarësisë që
ajo ka, për të dhënë produkte sa më pozitive. Të lehtësohet sado pak ngarkesa
qoftë nga pikëpamja e kompetencave. por edhe nga strukturat ndihmëse që mund të
krijohen. E rëndësishme është se ka vullnet të mirë për t’u bërë dhe propozimet
janë bërë për ta forcuar strukturën dhe pasur një produkt më të mirë në
vazhdimësi”, u shpreh z.Kraja. Në lidhje me pyetjen e bërë mbi prioritet e
punës së SPAK, në kushtet e mbingarkesës dhe numrit të ulët të prokurorëve,
z.Kraja u shpreh se prioritetet i përcakton ligji dhe Kodi i procedurës penale,
ku përcaktohen afatet që duhen zbatuar. I pyetur mbi perceptimin për
korrupsionin nga raportet, z. Kraja u shpreh se pavarësisht se konstatohen
raste korrupsioni në të gjitha fushat, pasi janë fenomene negative që
shoqërojnë shoqërinë shqiptare prej një kohe të gjatë, nevojitet një koordinim
i gjithanshëm, nga e gjithë shoqëria, secili duhet të bëjë pjesën që i ngarkon
ligji. “Ne si SPAK kemi pasur prioritet që përveç krimit të organizuar, edhe
hetimin e korrupsionit, zyrtarët e nivelit të lartë, pastrimit të parave. Në
raportin vjetor unë kam sjellë shifra konkrete të rasteve që janë hetuar për
pastrim parash pranë SPAK, të numrit të dënimeve që janë rritur duke i
krahasuar 2020-2021 dhe janë përsëri në rritje të mënyrë të vazhdueshme”, u shpreh
z.Kraja. Ndërkohë i pyetur për çështje konkrete, si 21 janari, CEZ, etj,
z.Kraja nuk u përgjigj për shkak të procesit të hetimit.
Në përmbyllje të takimit, nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, z.Taulant Balla theksoi rëndësinë dhe nevojën që krahas hetimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, të hidhet dritë mbi dosjet e vjetra, që kanë krijuar kulturën e pandërshkueshmërisë në Shqipëri. Duke iu referuar rastit të Rumanisë, ku krimet e vitit 1990 u hetuan në vittin 2018, z.Balla theksoi se ka besim se: “dosje si ajo e “21 janarit” duhet të hetohen nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ky është konstatim, është vlerësim për ju, është vlerësim për besimin që të gjithë kemi, e këtu askush nuk duhet të ketë dyshime që Kuvendi i Shqipërisë apo mazhoranca aktuale ka dyshime në besimin e investuar në këto institucione”. Z. Balla sugjeroi më tej që për rastet kur bëhet një kallëzim penal, duhet të jepet informacion mbi ecurinë e apo regjistrimin e veprës penale. Në takim diskutuan anëtarët e KKIE-së: z. Enkelejd Alibeaj dhe z.Eduart Shalsi.
Aktiviteti u transmetua live në
faqen zyrtare web dhe “Facebook” të Kuvendit.