Komisioni i Ligjeve miratoi projektrezolutat për veprimtarinë e KMSHC dhe KMD për vitin 2021 dhe zhvilloi seancë dëgjimore me 3 kandidatë për anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik.
- Postuar më, 26/05/2022

26 maj 2022
Në drejtimin e kryetares znj.Klotilda
Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e
Njeriut në mbledhjen e tij të radhës dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi
projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së dy institucioneve të pavarura
për vitin 2021, si dhe zhvilloi një seancë dëgjimore me tre kandidatët e
propozuar nga Këshilli i Ministrave për anëtarë të Komisionit të Prokurimit
Publik. Fillimisht komisioni mori në shqyrtim projektrezolutën për vlerësimin e
veprimtarisë së Komisionerit për Mbikëqyrjen
e Shërbimit Civil (KMSHC) gjatë vitit 2021. Deputeti Klevis Xhoxhi në
cilësinë e relatorit paraqiti draft-rezolutën, ku krahas vlerësimit të punës së
deritanishme, u dhanë disa rekomandime ku duhet të fokusohet puna e KMSHC përgjatë
vitit 2022. Mes tyre z. Xhoxhi përmendi adresimin pranë Kuvendit nga KMSHC të propozimeve
për ndryshimet e ligjit nr.152/2013 dhe akteve nënligjore me qëllim zgjidhjen e
problematikave të hasura gjatë zbatimit të tij; monitorimi dhe pasja e një roli
aktiv në skemën e administrimit të shërbimit civil në administratën vendore,
konkretisht në ndërtimin e strukturës, përcaktimin e saktë të numrit të
nëpunësve civil, qartësimin e pozicioneve të punës në raport me shërbimin civil;
sjelljen e një raporti monitorimi të sjelljes së nëpunësit civil gjatë
periudhës zgjedhore për 6 bashkitë; etj. Gjatë diskutimeve, deputetët e
komisionit paraqitën disa propozime lidhur me rekomandimet që duhet ti
paraqiten KMSHC për rritjen e kapaciteteve dhe trajnimet e sektorëve juridikë në
administratë dhe dërgimin pranë Kuvendit të raporteve analitike të posaçëm me
gjetjet nga monitorimi i sjelljes së nëpunësit civil gjatë periudhave zgjedhore.
Propozimet u morën parasysh dhe pas diskutimeve, komisioni miratoi projekt-rezolutën
për veprimtarinë e KMSHC për vitin 2021, për të vijuar me shqyrtimin e projektrezolutën
për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi
gjatë vitit 2021. Deputeti z.Denis Deliu në cilësinë e relatorit paraqiti draftin, duku mes të
tjerash paraqiti edhe disa rekomandime ku Komisioneri për Mbrojtjen nga
Diskriminimi duhet të angazhohet për vitin 2022; ku mes të tjerash u kërkua: të
intensifikojë aktivitetin ndërgjegjësues për mbrojtjen dhe respektimin e të
drejtave të komunitetit LGBTI për aksesin ndaj kujdesit shëndetësor, arsimit,
drejtësisë, punësimit dhe strehimit; të angazhohet veçanërisht në zonat rurale
për të nxitur respektimin e parimit të barazisë dhe mosdiskriminimit si dhe të
fokusohet për ndërgjegjësimin mbi gjuhën e urrejtjes, sidomos në kategoritë më
të diskriminuara; etj. Pas diskutimeve komisioni miratoi draft-rezolutën dhe ia
kaloi për shqyrtim seancës plenare të radhës. Më pas komisioni vijoi dëgjesat
me 3 kandidatët e propozuar nga Këshilli i Ministrave për anëtarë të Komisionit
të Prokurimit Publik. Znj. Nertila Mihali, z.Bledar Cengu dhe z.Gjergji Mersini
paraqitën përpara deputetëve të
dhëna nga eksperiencat profesionale dhe vizionin e tyre në lidhje me pozicionin
për të cilën kandidonin, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të deputetëve.