Komisioni i Ligjeve i kaloi seancës plenare për shqyrtim 4 kandidaturat për anëtarë të AIDSSH dhe zhvilloi seancë dëgjimore për raportin vjetor të veprimtarisë së DAP për vitin 2021

  • Postuar më, 27/05/2022

27 maj 2022

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e tij të radhës miratoi dhe i kaloi seancës plenare për shqyrtim kandidaturat për vakancat e krijuara në Autoritetin për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), si dhe zhvilloi një seancë dëgjimore për raportin vjetor të veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike gjatë vitit 2021. Fillimisht deputeti z.Klevis Xhoxhi, në cilësinë e relatorit, paraqiti përpara komisionit procedurën e ndjekur pas shpalljes së vakancave për anëtarë të AIDSSH-së dhe më tej sqaroi se në përfundim të afatit të vendosur për dorëzimin e kandidaturave dhe seancave dëgjimore të zhvilluara, kandidaturat që kanë marrë mbështetjen e të paktën 28 deputetëve janë: z.Altin Hoxha, z.Besim Ndregjoni, znj. Gentiana Sula, z.Gjergj Marku, z.Marçel Hila, z.Simon Mirakaj, Skënder Vrioni, ndërkohë që z.Albert Nikolla është kandidaturë e Këshillit të Ministrave. Pas diskutimeve, komisioni miratoi me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje dhe i përcolli për shqyrtim seancës plenare kandidaturat e: z.Altin Hoxha, kandidat i vetëofruar, znj.Gentiana Sula, kandidate e vetëofruar, z.Albert Nikolla, propozim i Këshillit të Ministrave dhe z.Simon Mirakaj, propozim i disa shoqatave të të të përndjekurve politikë.

Mbledhja e komisionit vijoi me dëgjesën me znj. Albana Koçiu, Drejtoreshë e Departamentit të Administratës Publike, e cila raportoi në komision lidhur me veprimtarinë e DAP gjatë vitit 2021. Znj.Koçiu parashtroi në fjalën e saj se Administrata Publike tashmë ka një kornizë strategjike të konsoliduar, e cila pasqyron progresin e bërë në fusha kyçe të reformës si: politikëbërja dhe cilësia e legjislacionit; organizimi dhe funksionimi i administratës publike; shërbimi civil dhe menaxhimi i burimeve njerëzore; si dhe procedurat administrative dhe mbikëqyrja. “Deri në tani, 96% të aktiviteteve kanë filluar zbatimin dhe po implementohen me sukses nga të cilat 71% e këtyre masave dhe aktiviteteve kanë përfunduar. Viti 2022 do të shënojë dhe vitin e fundit të zbatimit të Strategjisë, i cili është një udhërrëfyes që daton që nga vitit 2015”, shpjegoi znj.Koçiu, duke nënvizuar më tej se në raportin e fundit të monitorimit të administratës publike për periudhën 2017-2021, nga SIGMA, Shqipëria është vlerësuar maksimalisht për mirëmenaxhimin e burimeve njerëzore dhe shërbimin civil. “SIGMA vlerëson meritokracinë dhe efikasitetin e rekrutimit të nëpunësve civilë, që është vlerësuar maksimalisht në raport”, u shpreh znj.Koçiu, duke paraqitur më tej disa prej arritjeve të DAP gjatë vitit 2021, si dhe u ndal te prioritetet dhe objektivat në vijim. Ndër të tjera, drejtuesja e DAP theksoi se përgjatë vitit 2021 fokusi kryesor i punës ka qenë përmirësimi i procesit të rekrutimit, testeve dhe të kapaciteteve të komisioneve të vlerësimit për kandidatët që dëshirojnë të jenë pjesë e shërbimit civil, standardizimi dhe unifikimi i praktikave të mirëmenaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe u ndal në mënyrë të veçantë në platformën “administrata.al”, punësimit të studentëve të ekselencës, etj. Lidhur me rekrutimet, znj.Koçiu sqaroi se në vitin 2021 janë plotësuar 857 pozicione pune, ndërkohë që sqaroi se procesi u ndërpre gjatë periudhës zgjedhore.  Deputeti z.Denis Deliu në cilësinë e relatorit, vlerësoi punën e bërë nga DAP përgjatë vitit 2021, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në përmbushjen e rekomandimeve të lëna në Rezolutën e Kuvendit për vitin e kaluar, si dhe Progres Raportit të BE-së.  Znj.Koçiu iu përgjigj më pas pyetjeve të deputetëve të komisionit lidhur me numrin e të punësuarve në administratën publike përgjatë vitit 2021, që përkonte me periudhë zgjedhore; procedurat e rekrutimit; etj.  


Share