Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy Projektrezoluta dhe një Akt Normativ
- Postuar më, 21/06/2022

Në
drejtimin e zëvendëskryetarit z. Eduard Ndreca, Komisioni për Çështjet Ligjore,
Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi Projektrezolutën “Për
vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit të Prokurimit Publik gjatë vitit 2021”.
Relatori,
z. Klevis Xhoxhi në fjalën e tij u shpreh se duke vlerësuar punën e KPP, Kuvendi
i Shqipërisë për vitin 2022, rekomandon që Komisioni i Prokurimit Publik të
angazhohet veçanërisht në këto aspekte të veprimtarisë së tij, ku të investohet
me kapacitet të plotë për uljen e numrit të ankesave të shqyrtuara jashtë
afateve ligjore, duke ndjekur trendin përmirësues të vitit 2021, të punojë për
plotësimin e vendeve vakante, duke rekrutuar profesionistë të kualifikuar të
fushës, si një faktor i cili ndikon drejtpërdrejtë në rritjen e efikasitetit
dhe cilësinë e vendimmarrjes së KPP dhe në të njëjtën kohë të vijojë punën për
trajnimin e punonjësve të Komisionit të Prokurimit Publik, me qëllim rritjen
dhe forcimin e kapaciteteve profesionale në vazhdimësi, të angazhohet në
vazhdimësi për informimin e operatorëve ekonomike dhe autoriteteve kontraktore
përmes organizimit të tryezave/fushatave informuese, si dhe të hartojë
kurrikulat e trajnimit për zyrtarët e prokurimit, komisionin e vlerësimit të
ofertave, me qëllim uljen e numrit të ankesave të mos pranuara për shkaqe të
mosplotësimit të kritereve formale si dhe të ndikojë në përmirësimin e cilësisë
së punës nga ana e autoriteteve kontraktore etj.
Njëkohësisht,
z. Xhoxhi theksoi se “KPP në vijim të procesit të digjitalizimit, të punojë për
implementimin e fazës së dytë për integrimin e proceseve të brendshme
administrative në sistemin e dorëzimit dhe shqyrtimit të ankesave, (sistemi
ERP)”.
Pas
diskutimeve, kjo projektrezolutë u miratua me votë nga anëtarët e komisionit.
Po
ashtu, anëtarët e komisionit miratuan edhe projektrezolutën “Për vlerësimin e
veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike gjatë vitit 2021”, ku
relatori z. Denis Deliu nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar punën e
DAP, dhe rekomandimet që Kuvendi i jep për vitin 2022, përfshijnë ndër të tjera
hartimin e një manuali lidhur me planifikimin vjetor të Burimeve Njerëzore, si
edhe të bashkëpunojë me të gjitha institucionet e administratës shtetërore duke
i krijuar një plan pune të zbatueshëm për përmirësimin e procesit të
planifikimit vjetor të nevojave të rekrutimit, sipas përcaktimit të Këshillit të
Ministrave nr. 108, dt. 26.02.2014 “Për planin vjetor të pranimit të Shërbimit
Civil” etj.
Më
tej, mbledhja e komisionit vazhdoi me shqyrtimin e Aktit Normativ nr.10 datë
15.5.2022 “Për kompensimin financiar të çmimit për disa materiale ndërtimi,
sipas përcaktimeve në kontratat publike për punë, si pasojë e situatës së
veçantë, të krijuar në treg gjatë vitit 2022”.
Të
ftuar ishin z. Ilir Bejtja zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, z.
Gentian Gjyli drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes (ARRSH), z.
Genti Raca, përgjegjës i Sektorit të Preventivit në ARRSH. Ndërsa nga ministria
e Financave dhe Ekonomisë ishin të ftuar zëvendësministrja znj. Adela Xhemali,
znj. Mimoza Dhëmbi drejtor i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit
dhe z. Saimir Mucmataj drejtor në Drejtorinë e Programimit, Standardizimit dhe
Harmonizimit të Kuadrit Rregullator.
Pas
komenteve, pyetjeve dhe përgjigjeve, ky Akti Normativ u miratua nga anëtarët e
komisionit, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi.