Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përshëndeti veprimtarinë “Përqafojmë Ukrainën”
- Postuar më, 22/06/2022
Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, përshëndeti, nëpërmjet një video-mesazhi, veprimtarinë “Përqafojmë Ukrainën”, e cila u zhvillua më 21 qershor, në Amsterdam. Në këtë veprimtari përshëndetën përsonalitete të larta politike, aktivistë publikë dhe artistë të shquar.
“Prej 24 shkurti të këtij viti, populli i Ukrainës po
zhvillon një luftë të drejtë, por të imponuar nga agresioni i Rusisë. Shqipëria,
si anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe gjatë muajit
qershor edhe si Presidente e këtij organi të rëndësishëm për ruajtjen e paqes,
së bashku me ShBA dhe aleatët e tjerë perëndimorë, po udhëheqin përpjekjet për
mbështetjen e Ukrainës dhe dënimin e agresionit të Rusisë.
Me një Rezolutë të veçantë, Parlamenti i Shqipërisë ka
shprehur solidaritetin e mbështetjen për Ukrainën dhe ka kërkuar ndalimin e
agresionit rus. Presidenti Zelenski i është drejtuar Parlamentit të Shqipërisë
dhe Kryeministri Rama ishte së fundi në Kiev, për të dëshmuar mbështetjen e
vendosur të Shqipërisë. Si Kryetare e Parlamentit të Shqipërisë, shpreh
solidaritetin, simpatinë e mbështetjen për luftën e drejtë të popullit të
Ukrainës dhe besimin se ai do ta fitojë këtë luftë të pakërkuar. Shpreh
mbështetjen time për Verkhovvna Rada, Parlamentin e Ukrainës dhe të gjithë
anëtarët e tij, të cilët, krahas rezistencës ndaj agresionit të Rusisë, po
zhvillojnë në kushte lufte edhe detyrat e tyre parlamentare. Si grua dhe si
nënë, shpreh solidaritetin me gratë dhe vajzat e Ukrainës dhe uroj që lufta të
fitohet sa më shpejt, dhimbja e saj të kalojë dhe t’u mundësojë atyre
normalitetin e jetës dhe të gëzimeve familjare. Unë jam në profesion mësuese
dhe uroj që sa më shpej të vijë koha që shkollat, universitetet, mësuesit,
nxënësit dhe studentët e Ukrainës të mësojnë në paqe e të sigurt.”, theksoi në
mesazhin e saj përshëndetës Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.