Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me zyrën e projekteve të OSBE-së, organizoi një trajnim 2-ditor me 23 specialistët e zyrave të deputetëve të 12 qarqeve të vendit

  • Postuar më, 23/06/2022

Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me zyrën e projekteve të OSBE-së, organizoi një trajnim 2-ditor me 23 specialistët e zyrave të deputetëve të 12 qarqeve të vendit, me temë: " Njohja e veprimtarisë së punës së shërbimeve të Kuvendit në funksion të punës së deputetit.  Pjesëmarrja e shoqërisë civile në vendimmarrje, njohja me platformën e komunikimit".

Takimi u përshëndet nga Sekretari i Përgjithshëm z. Genci Gjonçaj, i cili vlerësoi rëndësinë e  takimit, por dhe ndau me pjesëmarrësit nismat e ndërmarra nga Kuvendi në përfshirjen e publikut në vendimmarrje. Në takim përshëndetën znj. Sihana Nebiu, përfaqësuese e OSBE-së, deputetja e grupit parlamentar socialist znj. Pranvera Resulaj dhe znj. Sorina Koti, deputete e grupit parlamentar demokrat.

Në trajnim u prezantuan veprimtaritë kryesore të Shërbimit të Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve mbi zbatimin e legjislacionit të fuqi për trajtimin e deputetit, kryesisht  ligji nr. 8550, datë 18.11.1999 “Status i Deputetit”, i ndryshuar, veprimtaria e Shërbimit të Komunikimit sa i takon vizitave në Kuvendin e Shqipërisë dhe trajtimit të letrave të popullit, Shërbimi i Komisioneve dhe Seancës Plenare lidhur me procedurat parlamentare dhe përfshirjen e shoqërisë civile në procesin legjislativ, si dhe Shërbimi i Teknologjisë  për  funksionimin i faqes zyrtare të internetit të Kuvendit, etj.

Gjatë takimit u theksua se funksionimi i zyrave dhe roli i specialistëve të këtyre zyrave, si persona me të cilët qytetari ka kontaktin e parë me Kuvendin, është shumë i rëndësishëm në përfshirjen e publikut në vendimmarrje.

Në diskutime u përfshi edhe përcaktimi i kalendarit të takimeve që do të organizohen në bashkëpunim me OSBE, takime të cilat do të zhvillohen në  muajin korrik e  në vazhdim gjatë  sesionit të ri parlamentar.

Në ditën e fundit të trajnimit, 23 specialistët e zyrave të deputetëve në qarqe, vizituan Sallën e Seancës plenare dhe ndoqën punimet plenare,

Trajnimi u organizua në kuadër të projektit “Mbështetje për Parlamentin dhe Edukimi Qytetar në Shqipëri”, mbështetur nga Prezenca e OSBE-së dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).




Share