U zhvillua interpelanca me ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj.Elisa Spiropali, kërkuar nga deputeti i Partisë Demokratike, z.Agron Shehaj

  • Postuar më, 23/06/2022

Seanca e sotme plenare i nisi punimet me  interpelancën e kërkuar nga deputeti i opozitës, z.Agron Shehaj me Kryeministrin z.Edi Rama,  në lidhje me vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike dhe vendimet e Këshillit të Ministrave për dhënien e statusit investitor strategjik familjarëve të ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, znj.Olta Xhaçka. Për shkak se kreu i qeverisë, ndodhet në samitin e BE-së në Bruksel, interpelanca u zhvillua me ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj.Elisa Spiropali.

Në parashtrimin e tij, z.Shehaj kërkoi informacione lidhur me vendimin e marrë nga Komiteti për Investimet Strategjike të datës 29 mars 2021 dhe vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 2 mars 2022, për lejimin e përdorimit të brigjeve dhe të zonës së plazhit për realizimin e projektit investues strategjik "Dreamades Luxury Suites”" dhe lejen për shfrytëzimin për 30 vjet të pronës publike në Himarë, duke favorizuar familjarë të ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, znj.Olta Xhaçka. 

Më tej z.Shehaj u shpreh se subjekti "AGTCC HOTEL MANAGEMENT", krijuar në pronësi të një shtetase amerikane, u përdor për të fshehur pronarët e vërtetë, pasi kompania nuk kishte asnjë investim kapital dhe  për ojë në biznesin e hotelerisë apo tregjeve ndërkombëtare.  “Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 70, pika 3, është e qartë: Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”, u shpreh z.Shehaj.

Në përgjigje, ministrja Spiropali u përgjigj se me  pretendimet e z.Shehaj tentohet të cënohet reputacioni i investitorëve dhe theksoi se Investimet Strategjike duhet të shihen si një mundësi, si një potencial zhvillimi dhe si projekte, të cilat meritojnë mbështetjen nga ana e organeve shtetërore. “Jam e kënaqur sot qe do mund te qartësoj njëherë e mirë për qytetarët e këtij vendi, se statusi i investitorit strategjik nuk është një favor apo dhuratë që qeveria, në mënyrë selektive ua bën individëve të caktuar, por një e drejtë ligjore që u jepet investitorëve që plotësojnë kriteret ligjore për ta marrë atë, kundrejt një të mire të madhe që do t’i sjellin Shqipërisë, qofshin këta vendas apo të huaj”, u shpreh znj.Spiropali. Ministrja theksoi se qeveria ka pasur dhe ka në fokus të saj nxitjen dhe tërheqjen e investimeve duke promovuar klimën e biznesit, procedurat lehtësuese, masat mbështetëse dhe kuadrin ligjor favorizues me synim afrimin e investimeve te huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri si dhe promovimin e potencialit turistik vendas. “Investimet strategjike kanë peshën e tyre domethënëse në zhvillimin ekonomik të vendit dhe kuadri rregullator i lidhur me to përfaqëson risi, posaçërisht të fokusuar në tërheqjen e investimeve të huaja, apo “zgjimit”, të kapitalit të vendas. Jemi ne që i nxisim investitorët”, u shpreh ministrja Spiropali. 

Duke shpjeguar procedurat, ministrja sqaroi se në asnjë parashikim ligjor dhe në asnjë dispozitë referuese të vendimeve të Komitetit të Investimeve Strategjike nuk përdoret termi “përfitues bregdeti”, sepse bregdeti është pasuri kombëtare shtetërore,  i njohur nga Kushtetuta, i cili vetëm mund të lihet në përdorim për hapësirën e plazhit, por në asnjë rast nuk mund “të përfitohet”. Lidhur me Vendimin e Këshillit të Ministrave, znj.Spiropali sqaroi se vendimet e qeverisë vijnë si rrjedhojë e parashikimit ligjor të ligjit të Investimeve Strategjike, pasi përcaktojnë nëse realizohet miratimi përfundimtar, koordinatat e sakta, si dhe tarifat e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse së plazhit në funksion të realizimit të projektit investues strategjik. Znj. Spiropali theksoi se Komiteti i Investimeve Strategjike është organi i vetëm vendimmarrës për dhënien e statusit të investitorit strategjik dhe ministrja Xhaçka nuk është anëtar i tij, e rrjedhimisht nuk mund të jetë pjesë e  vendimmarrjes se këtij organi. Lidhur me VKM, znj.Spiropali sqaroi se ministrja Xhaçka ka njoftuar se nuk do të merrte pjesë në mbledhjen e qeverisë kur shqyrtohej ky vendim dhe kjo shkresë e depozituar garanton respektimin e ligjit mbi konfliktin e interesit dhe Kodin e Etikës.

Znj.Spiropali theksoi se motivet e vendimit të Komitetit janë të mbështetura në kuadrin ligjor dhe subjekti i ka përmbushur të gjitha kriteret, pasi investimi është tërësisht privat, i kryer në pronë private. Subjekti nuk ka marrë tokë shtetërore dhe synon zhvillimin e zonës përmes ndërtimit të një strukture 100% hoteliere, është i pajisur me leje zhvillimi dhe ka paraqitur një projekt me vlerë investimi 5.59 milionë euro që krijon 120 vende pune.

Znj.Spiropali, duke renditur të gjitha masat mbështetëse që mund të përfitojë sipas ligjit një investitor strategjik, duke nisur nga infrastruktura ndihmëse si rrugë, furnizim me energji, kanalizime, vënia në dispozicion e pyjeve, kullotave etj. , sqaroi se  subjektit iu dha  përdorimi i plazhit me pagesë, sipas tarifave të përcaktuara nga bashkia Himarë.


Share