Komisioni për Sigurinë Kombëtare seancë dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes z. Niko Peleshi

  • Postuar më, 27/06/2022

Në drejtimin e kryetarit z. Nasip Naço Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi një seancë dëgjimore me Ministrin e Mbrojtjes z. Niko Peleshi kërkuar nga deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike anëtarë të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, lidhur me ndryshimet e fundit të propozuara në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 13/2015, “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”” si dhe me problematikën e krijuar si rezultat i zjarreve në ishullin e Sazanit.

Në fjalën e tij z. Peleshi sqaroi se ky projektligj do të mundësojë rregullimin e marrëdhënieve ligjore që aktualisht janë të pambështetura në ligj e që nuk mund të funksionojnë midis strukturës së Policisë Ushtarake dhe agjencive të tjera ligjzbatuese dhe do të ofrojë një pozitë ligjore dhe fuqi ekzekutive të munguar, si dhe realizimin e misionit e të detyrave të PU-së nga vetë kapacitet e saj, pa pasur nevojën e strukturave të tjera, duke krijuar kështu një autonomi veprimi ligjor të mbështetur në ligj.

Sa i përket pyetjeve lidhur me problematikën e krijuar si rezultat i zjarreve në ishullin e Sazanit, deputetetët demokratë  kërkuan  të dinin: “pse nuk kishte në gatishmëri asnjë helikopter për shuarjen e zjarreve”, por nga ana e tij z. Peleshi e konsideroi të ekzagjeruar efektin e helikopterëve në shuarjen e zjarreve dhe shtoi se: “Duhet ta luftojmë mentalitetin që zjarrin e shuajnë forcat e armatosura me helikopter. Çështja e përballjes së zjarreve nuk zgjidhet vetem me kapacitete ajrore”. Sa i përket kapaciteteve ajrore për emergjencat civile, Peleshi shtoi se një vend i vogël si Shqipëria nuk ka leverdi ekonomike dhe praktike që të blejë një avion vetëm për fikjen e zjarreve. “Një avion i tillë kushton 50 milionë euro për ta përdorur një muaj në vit dhe plus kostot e mirëmbajtjes. Ekonomikisht dhe praktikisht e pamundur që të kemi flotë vetëm për zjarret,” tha ministri

Pyetjes se anetareve demokrat, nëse ka ndonjë kërkesë, aplikim apo ndonjë formë të caktuar nga ndonjë kompani, që kërkon në përdorim apo privatizim ishullin e Sazanit, z. Peleshi tha se: “Nuk kemi asnjë kërkesë për privatizime të bazës”. Sa i përket kontratave te mirëmbajtjes së helikopterëve, z. Peleshi duke iu referuar helikopterëve “Cougar”  sqaroi se: “Ne e mirëmbajmë flotën ajrore jashtë vendit dhe kostot janë të mëdha, vështirësitë e mirëmbajtjes janë të mëdha” 

 Z. Peleshi njoftoi komisionin se ishte marrë një vendim që mirëmbajtja e helikopterëve të prokurohej nëpërmjet SPA, agjencisë së prokurimit të NATO-s.



Share