Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin nisi shqyrtimin e projektligjit “Për krijimin dhe funksionimin e Parqeve Teknologjike dhe Shkencore”

  • Postuar më, 28/06/2022

Në drejtimin e kryetarit z. Arben Pëllumbi, komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi në cilësinë e komisionit përgjegjës projektligjin “Për krijimin dhe funksionimin e Parqeve Teknologjike dhe Shkencore”. Projektligji u prezantua nga z. Besart Kadia, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë dhe z. Ermal Frashëri, Drejtor i Përgjithshëm i Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC) dhe u relatua nga deputeti z. Ismet Beqiraj.

Z.Kadia parashtroi rëndësinë e nismës për të ardhmen dhe zhvillimin e industrisë së inovacionit, por dhe tërheqjen e investimeve të huaja, duke nënvizuar se projektligji ka për qëllim të krijojë një kuadër ligjor rregullator për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore në Shqipëri.  Më tej. z.Frashëri duke shpjeguar kontekstin global shtoi se prej vitesh vendet në zhvillim, por dhe ato të rajonit, po synojnë nxitjen e zhvillimit të industrive të teknologjisë së lartë dhe inovacionit; kërkim-zhvillimit për produkte dhe shërbime të reja, si edhe përmirësimin e atyre ekzistuese, etj. Në nivel ndërkombëtar, tekno-parqet janë një mjet për të bërë të mundur tërheqjen dhe zhvillimin e industrive të reja të inovacionit dhe krijimin e kushteve optimale për evoluimin e tyre.  Z.Frashëri theksoi më tej se në fokus të këtyre parqeve do të jete inovacioni dhe teknologjia, element këto që do të diktojnë punën kërkimore dhe zhvillimore me synim krijimin/shpikjen e mjeteve dhe metodave të reja inovative. Aktivitetet që do të lejohen në këto parqe, janë të kufizuara në aktivitete kërkim-zhvillimi dhe nuk do të përfshijnë prodhimin në seri të produkteve apo të shërbimeve. Në gamën e këtyre veprimtarive të lejuara, përfshihen aktivitetet që: angazhohen në kërkim-zhvillim, me qëllim përfitimin e njohurive të reja teknologjike apo shkencore, të cilat mundësojnë zhvillimin e produkteve apo të shërbimeve; krijojnë metoda të reja të prodhimit të produkteve apo të shërbimeve ose përdorin teknologji të avancuar në prodhimin e software-eve, në përpunimin e të dhënave apo në aktivitete të ngjashme; përmirësojnë produkte dhe shërbime në një mënyrë që sjell ndryshim thelbësor, jo të një natyre estetike, në pjesë apo në funksion, krahasuar me produktet ekzistuese; fokusohen në trajnimin e ngritjen e kapaciteteve të profesionistëve, me qëllim angazhimin e tyre në prodhimin e produkteve dhe të shërbimeve inovative.

Deputeti z.Ismet Beqiraj në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e projektligjit, duke theksuar se kalimi nga ekonomia tradicionale në ekonomi digjitale ka nevojë për zhvillim të një ekosistemi të inovacionit, infrastrukturës ligjore, politikave të qarta fiskale dhe sistemit efikas të arsimit, nga niveli primar deri tek ai universitar. Z.Beqiraj shtoi  më tej se krijimi i një parku teknologjik ka potencialin të bëhet një qendër e rëndësishme për kërkimin dhe  zhvillimin, por dhe për të stimuluar investimet në ndërmarrjet e bazuara në teknologji dhe për të nxitur transferimin e teknologjisë midis subjekteve kërkimore dhe ndërmarrjeve.  Mbledhja e komisionit vijoi me pyetje dhe diskutime lidhur me projektligjin, ndërkohë që në mbledhjen e radhës do të vijohet me shqyrtim në parim dhe nen për nen të tij.   


Share