Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektligjin “Për krijimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”

  • Postuar më, 29/06/2022

Në drejtimin e kryetares znj.Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e tij të radhës shqyrtoi në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi projektligjin “Për krijimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”.  Projektligji u prezantua nga z. Besart Kadia, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë dhe u relatua nga deputeti z. Klevis Xhoxhi.

Z.Kadia parashtroi rëndësinë e nismës për të ardhmen dhe zhvillimin e industrisë së inovacionit, por dhe tërheqjen e investimeve të huaja, duke nënvizuar se projektligji ka për qëllim të krijojë një kuadër ligjor rregullator për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore në Shqipëri. “Shqipëria mbetet një ndër vendet që e ka të domosdoshme nxitjen dhe promovimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit, si pjesë e rëndësishme të zhvillimit ekonomik në të ardhmen”, parashtroi z.Kadia, duke theksuar më tej se incentivimi nëpërmjet lehtësirave fiskale synon nxitjen e zhvillimit të industrive të teknologjisë së lartë dhe inovacionit. Z.Kadia shtoi se parqet teknologjike në vetvete kanë si synim kryesor dhënien e incentivave për të krijuar një hapësire me kufij të përcaktuar, ku integrohen struktura kërkimore e zhvillimore dhe në të cilën përfshihen entitete, të cilat përdorin teknologji të avancuar në zhvillimin e produkteve ose shërbimeve apo të cilat investojnë në kthimin e shpikjeve teknologjike në produkte finale. “Qëllimi kryesor është: nxitja e zhvillimit të industrive të teknologjisë së lartë dhe inovacionit; kërkim-zhvillimi për produkte dhe shërbime të reja, si edhe përmirësimin e atyre ekzistuese;  krijimi i vendeve më të kualifikuara të punës për profesionistë të fushave të shkencës dhe teknologjisë;  krijimin e infrastrukturës teknologjike me qëllim përshpejtimin e zhvillimit të inovacionit në produkte apo metoda prodhimi;  si dhe lehtësimin e sipërmarrjes inovative”, u shpreh z.Kadia.

Më tej deputeti Klevis Xhoxhi, në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e projektligjit, duke theksuar se sfidat e zhvillimit rajonal dhe global në fushën e inovacionit vijnë gjithmonë në rritje duke kërkuar një evoluim konstant të metodave dhe praktikave për të akumuluar sa më shumë njohuri dhe aftësi. Parqet teknologjike krijojnë mundësi në fushën e kërkimit dhe zhvillimit të produkteve inovative, shërbimeve të reja, si dhe përmirësime të atyre ekzistuese, duke funksionuar si qendra jetike për kërkimin, zhvillimin dhe edukimin, me laboratorë dhe ambiente trajnimi, duke ofruar akomodim për fillimin dhe zgjerimin e bizneseve. Duke vlerësuar se projektligji është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren, z. Xhoxhi ftoi kolegët ta miratojnë projektligjin. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

 


Share