Konstituohet Grupi i Gjelbër pranë Kuvendit të Shqipërisë
- Postuar më, 20/07/2022

Në
ambjentet e Kryesisë së Kuvendit u zhvillua sot mbledhja për konstituimin e Grupit
të Gjelbër, i cili është një organizim vullnetar i ligjvënësve të grupimeve të
ndryshme politike të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë. Grupi i Gjelbër përbëhet
nga 30 deputetë nismëtarë, duke qënë i hapur për anëtarësime të reja në të
ardhmen. Ky grupim synon rritjen e informimit dhe angazhimit të parlamentarëve
dhe mundësimin e veprimit ndërpartiak për përmbushjen e angazhimeve të marra
nga vendi ynë në kuadër të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Mbledhja
u moderua nga Kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe
Mjedisin, z. Arben Pëllumbi, i cili gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e
bashkëpunimit të forcave politike në Parlament për të nxitur zbatimin e
objektivave të Agjendës së Gjelbër dhe për të siguruar që tranzicioni i gjelbër
të jetë i drejtë dhe gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët.
Konstituimi i këtij grupimi, që përkoi edhe me hapjen e
negociatave të paranëtarësimit në Bashkimit Evropian për vendin tonë, u përshëndet
edhe nga znj. Judith Hoffmann, drejtuese e departamentit të bashkëpunimit për
Zhvillim pranë ambasadës gjermane në Tiranë dhe znj. Sonja Kurz - Drejtoreshë e
GIZ Shqipëri, të cilat u zotuan për të vijuar mbështetjen e grupimit dhe rritur
rolin e Grupit të Gjelbër.
Gjatë mbledhjes u miratua Rregullorja e Brendshme e
funksionimit të Grupit të Gjelbër, kalendari i aktiviteteve si dhe simboli identifikues
i grupimit.
Aktivitetet informuese të Grupit të Gjelbër po mundësohen
nga Akademia e Studimeve Politike me mbështetjen e Fondeve të Hapura Rajonale të
GIZ, në kuadër të projektit “Rritja e
njohurive të Grupeve të Gjelbra Parlamentare joformale nga Evropa Juglindore
mbi objektivat e Bashkimit Evropian mbi energjinë dhe transportin”.
Marrëveshja
e Gjelbër Evropiane është strategjia
e re kryesore e zhvillimit të Bashkimit Evropian drejt nxitjes së një modeli të
qëndrueshëm ekonomik, i cili redukton ndotjen në gjithë komponentët pritës të
mjedisit. E paraqitur në dhjetor 2019, objektivi kryesor i kësaj marrëveshjeje
është që Evropa të bëhet kontinenti i parë me ndikim neutral ndaj klimës deri
në vitin 2050, duke synuar ndryshimin e qasjes së deritanishme të zhvillimit
socio-ekonomik të saj.
Republika e Shqipërisë së bashku me vendet e tjera të
rajonit të Ballkanit Perëndimor, është zotuar për të mbështetur objektivat e Marrëveshjes së
Gjelbër të Bashkimit Evropian, në Nëntor 2020, në Samitin e Sofjes, duke
nënshkruar dy deklarata: Agjendën e Gjelbër të Ballkanit Perëndimor, si dhe krijimin
e një Tregu të Përbashkët Rajonal, të cilat kanë si synim që deri në vitin
2050, ta bëjnë ekonominë e rajonit të qëndrueshme dhe neutrale ndaj klimës,
përmes një sërë iniciativash dhe reformash politike dhe financiare me qëllime
gjithëpërfshirëse.
Objektivat e Agjendës së Gjelbër janë një sfidë që kërkon
përpjekje të konsiderueshme nga të gjithë sektorët dhe shoqëria në tërësi. Hapi i parë dhe themelor duhet të jetë
vendosja e një vizioni të qartë nga politikëbërësit dhe vendosmëria e çdo force
politike në mazhorancë apo në opozitë për të ndjekur këto objektiva afatgjatë,
duke siguruar zbatimin e tyre.