Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj. Mirela Kumbaro, u thirr në interpelancë nga deputetja e opozitës znj.Jorida Tabaku, për zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë ku është ndërtuar Aeroporti i Vlorës

  • Postuar më, 21/07/2022

Në seancën e sotme plenare, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, znj.Mirela Kumbaro, u thirr në interpelancë nga deputetja e grupit parlamentar demokrat znj. Jorida Tabaku, për të dhënë shpjegime dhe informacione lidhur me ndërtimin e Aeroportit të Vlorës në pejsazhin e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Në parashtrimin e interpelancës, znj. Tabaku u shpreh se ndërtimi i Aeroportit të Vlorës po kryhet në një zonë të mbrojtur që prej vitit 2004 dhe se projekti në kohën shkel përveç legjislacionit të brendshëm, edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, acquis të BE-së. “Mbrojtja e mjedisit mbetet një detyrim i MSA-së dhe gjithashtu një shqetësim i ngritur dhe nga Komisioni Europian, mbrojtja e mjedisit është një nga elementët e rëndësishëm të saj dhe kjo theksohet minimalisht në dy nene specifike. Ndërkohë që nuk duhet harruar se në progres raportin e fundit për Shqipërinë, çështja e ndërtimit të aeroportit të Vlorës u paraqit si një shqetësim.”, u shpreh znj.Tabaku, duke shtuar se dhjetëra organizata mjedisore lokale dhe ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimin se ndërtimi i aeroportit do të shkaktonte  një dëm të pakthyeshëm në ekosistemin e Peizazhit të Mbrojtur Vjosa-Nartë dhe se projekti bie ndesh me legjislacionin vendas për biodiversietin dhe cenon detyrimet e marra përsipër nga Konventa Ndërkombëtare.

Znj.Tabaku ngriti shqetësimin se për realizimin e këtij projekti është anashkaluar konsultimi publik dhe nuk janë marrë në konsideratë faktorët e katastrofave natyrore, për të cilat zona në fjalë është tejet e ndjeshme dhe do të përkeqësohet në të ardhmen në bazë të projeksioneve për rritjen e nivelit të detit. Znj.Tabaku kërkoi sërish shpjegime nga ministrja lidhur me faktin se Aeroporti i Vlorës është planifikuar të ndërtohet në afërsi të Lagunës së Nartës, në zonën e quajtur Akërni, e cila ndodhet në brendësi të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë. “ Në të njëjtën kohë paralelisht me këtë procedurë, ka nisur edhe një proces tjetër, i cili është në fazën e përfundimit dhe ka të bëjë me rishikimin e Kufijve të Zonave të Mbrojtura. Ky proces rezulton nga Vendimi nr. 10, datë 28.12.2020 i Këshillit Kombëtar të Territorit “Për miratimin e kufijve të Zonave të Mbrojtura” dhe sipas hartës shoqëruese rezulton se është prekur edhe Zona e mbrojtur Vjosë-Nartë, duke ndryshuar kufijtë e kësaj zone dhe hequr disa pjesë, ku njëra prej tyre korrespondon me sipërfaqen ku do të ndërtohet aeroporti i Vlorës, së bashku me disa sipërfaqe të tjera të planifikuara për zhvillime të tjera. Akti përfundimtar që realizon ndryshimin e kufijve, sipas ligjit nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtja” është Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili nuk rezulton i miratuar”, u shpreh znj.Tabaku.

Ministrja Kumbaro në përgjigjen e saj, duke iu referuar studimit të kryer nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura përgjatë viteve 2018-2020, sqaroi se Parku natyror i lumit Vjosa, me një sipërfaqe prej 7989 ha, iu shtua territorit dhe ekosistemit natyror ligatinor Nartë- Pishporo që krijoi hartën e konsoliduar të pejsazhit të mbrojtur Nartë-Pishporo  me një sipërfaqe prej 16124 ha, me Vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit të Dhjetorit 2020. 

Lidhur me aeroportin, znj.Kumbaro sqaroi se projekti është propozuar të kryhet në gjurmën ekzistuese të ish-aeroportit ushtarak, të ndërtuar në fillim të viteve ‘20-të, dhe ka qenë funksional deri në vitin 1970. “Projekti i aeroportit ndodhet në zonën C, që nuk është as zona qendrore dhe as në zonën e qëndrueshme B, nuk prek monumentet e natyrës të identifikuara si Dunat e Nartës, Laguna Limopuo, as Kodrat Molastike të Zvërnecit, as vetë Pyllin e Zvërnecit; po kështu nuk preket fare laguna e Nartës ku ndodhen edhe vendet e parapëlqyera të shpendëve dimërues, të cilat janë jashtë njollës të ish-aeroportit që ndodhet aty që prej viteve ‘20-të.”, saktësoi ministrja.  

Znj. Kumbaro theksoi më tej se, bazuar në studimin dyvjeçar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, për përditësimin dhe saktësinë e kufirit dhe zonimit të brendshëm të zonave të mbrojtura, zona e propozuar për zhvillimin e aeroportit është hequr nga territori i zonës së mbrojtur me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe se janë kryer të gjitha procedurat e parashikuar nga ligji dhe janë zhvilluar për disa muaj dëgjesa publike me grupet e interesit dhe komunitetin. 

Znj. Kumbaro nënvizoi se aeroporti do të ndikojë në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit të zonës. “Mjedisi mbrohet pa asnjë dyshim, por sigurohet edhe zhvillimi i qëndrueshëm i gjithë zonës për qytetarët, që aq shumë e kërkojnë këtë projekt në funksion të turizmit dhe të ekonomisë. Ky aeroport do të jetë një pol i ri turizmi që favorizon Shqipërinë”, u shpreh ministrja.


Share