Kryetarja e Kuvendit, znj.Lindita Nikolla, priti Ambasadorin e ri të Turqisë, z. Tayyar Kagan Atay: Bashkëpunimi ynë i shkëlqyer i shërben fqinjësisë së mirë, zhvillimit, stabilitetit dhe paqes

  • Postuar më, 22/07/2022

Kryetarja e Kuvendit, znj.Lindita Nikolla, priti sot Ambasadorin e ri të Turqisë, z. Tayyar Kagan Atay. Kryetarja e Kuvendit, znj. Nikolla, nënvizoi se “Pas nënshkrimit të "Deklaratës së Përbashkët Politike”, partneriteti strategjik dhe marrëdhëniet tradicionale shumë të mira e miqësore me Turqinë po përparojnë, në shërbim të fqinjësisë së mirë, zhvillimit, stabilitetit dhe paqes në rajon dhe më gjerë. Shqipëria dhe Turqia janë partner të besueshëm në NATO dhe po punojnë fuqimisht për të arritur objektivin e tyre kombëtar, anëtarësimin në BE.”

Kryetarja Nikolla përsëriti mirënjohjen e thellë për ndihmën e Turqisë, me iniciativën e Presidentit Erdogan, për  ndërtimin e Spitalit Rajonal në Fier dhe 524 apartamenteve në zonën e Laçit, një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Gjatë takimit u diskutua edhe për intensifikimin e bashkëpunimit të shkëlqyer parlamentar, i cili nxit  e mbështet bashkëpunimin dypalësh midis Shqipërisë e Turqisë, si edhe bashkëpunimin ekonomik dhe në fusha të tjera midis të dy vendeve.

Ambasadori Tayyar Kagan Atay u shpreh se është një nder dhe privilegj i madh të shërbesh në Shqipëri, duke pasur parasysh marrëdhëniet tradicionale midis popujve tanë. Ambasadori Atay përgëzoi Kryetaren Nikolla për çeljen e negociatave të pranimit Shqipëri-BE dhe nënvizoi se do të kontribuojë për intensifikimin, zgjerimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve.


 



Share