Kryetarja e Kuvendit, znj.Lindita Nikolla, priti Ambasadorin e Shtetit të Katarit, z. Ali Bin Hamad Ali-Marri

  • Postuar më, 23/07/2022

Kryetarja e Kuvendit, znj.Lindita Nikolla, priti sot Ambasadorin e Shtetit të Katarit, z. Ali Bin Hamad Ali-Marri. Kryetarja Nikolla i shprehu Ambasadorit Ali-Marri mirënjohjen për kontributin në rritjen e bashkëpunimit midis të dy vendeve, ndihmën në përballimin e pasojave të tërmetit të nëntorit 2019, në luftën kundër pandemisë si edhe për bashkëpunimin në fushën e shërbimeve sociale për grupet e popullsisë me nevoja të veçanta. Shqipëria dhe Katari kanë marrëdhënie shumë të mira, të cilat po ndihmojnë edhe në shtimin e investimeve nga Katari në Shqipëri. Shqipëria dhe Katari po rrisin gjithashtu bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare. Kryetarja Nikolla vuri në dukje se Shqipëria vlerëson kontributin e Katarit për të lobuar për shtimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës.

Ambasadori Ali-Marri njoftoi Kryetaren Nikolla se Kryetari i Parlamentit të Katarit, z. Hassan bin Abdullah Al-Ghanim, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së saj për të vizituar Kuvendin e Shqipërisë. Kjo vizitë do të realizohet së shpejti dhe bashkëpunimi parlamentar po nxit e mbështet bashkëpunimin e gjithashëm midis të dy vendeve.




Share