Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për aderimin e RSH në Konventën mbi Organizatën Ndërkombëtare për ndihmat detare në lundrim”

  • Postuar më, 20/09/2022

Në drejtimin e kryetarit, z. Eduard Shalsi, komisioni për  Ekonominë dhe Financat, shqyrtoi në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën mbi Organizatën Ndërkombëtare për ndihmat detare në lundrim”. Projektligji u prezantua nga znj.Gelardina Prodani, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Mbrojtjes dhe u relatua nga deputetja znj.Shpresa Marnoj. Në fjalën e saj znj. Prodani u ndal tek qëllimi dhe përfitimet e vendit tonë pas aderimit në Konventë, ku ndër të tjera përmendi përmirësimin dhe harmonizimin e sistemit të ndihmës në lundrimin detar, ofrimin e asistencës teknike, krijimin e kapaciteteve për rritjen e standardeve të sigurisë  lundrimore, etj. Znj.Prodani sqaroi më tej  se detyrimet financiare, që rrjedhin nga aderimi i vendit tonë në këtë Konventë si shtet anëtar për vitin 2022, parashikohet të jetë rreth 17,670 euro dhe këto efekte financiare do të përballohen nga fondet buxhetore të planifikuara për Ministrinë e Mbrojtjes. Deputetja znj.Shpresa Marnoj në cilësinë e relatores paraqiti disa nga avantazhet kryesore të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në këtë Konventë siç janë: ndihma për arritjen e standardeve të sigurisë hidro-lundrimore, e cila do të bëjë të mundur shtimin e trafikut për qëllime turistike dhe tregtare në bregdetin shqiptar, duke e përfshirë Shqipërinë në hartën e vendeve të sigurta dhe me standarde në Evropë dhe rajonin e Detit Mesdhe; kontaktin e vazhdueshëm me zhvillimet teknologjike dhe vendosja e një ekuilibri midis metodave tradicionale të ndihmës në lundrim dhe sistemeve inovative; shkëmbimin e njohurisë dhe ekspertizës në fusha specifike me vendet e tjera anëtare; etj. Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.


Share