Komisioni i Ligjeve miratoi një projektligj dhe 3 kërkesa të KQZ, si dhe shqyrtoi parimisht projektligjin “Për informacionin e klasifikuar”

  • Postuar më, 20/09/2022

Në drejtimin kryetares znj. Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e tij të radhës mori në shqyrtim dy projektligje dhe tre kërkesave për rishikimin e strukturës së KQZ. Pika e parë e rendit të ditës ishte shqyrtimi në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi i projektligjit “Për informacionin e klasifikuar”, i cili u prezantua nga znj. Elisa Spiropali, Ministre Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe z. Dorian Tola, Drejtor i Përgjithshëm i DSIK dhe u relatua nga deputetja znj.Ermonela Felaj (Valikaj). Gjatë prezantimit, znj. Spiropali parashtroi qëllimin dhe risitë, duke theksuar se projektligji është realizuar duke u mbështetur në vendimin e Këshillit të BE-së të 23 shtatorit 2013 për rregullat e sigurisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar si dhe dokumentin e politikës së sigurisë së NATO-s, miratuar në vitin 2009. Ministrja Spiropali theksoi më tej se objekti i këtij projektligji është përcaktimi i qartë i parimeve bazë dhe i rregullave të përgjithshme për administrimin dhe klasifikimin, vlerësimin dhe mbikëqyrjen e informacionit të klasifikuar gjatë gjithë ciklit jetësor të tij, duke bërë më të lehtë orientimin e institucioneve për të hartuar listat e informacioneve të klasifikuara.

Më tej znj.Spiropali përmendi si risi përjashtimin nga procedurat e verifikimit të sigurisë për Presidentin e Republikës dhe Kryeministrin, si dhe deklasifikimin e pjesshëm duke rregulluar mundësinë për të zbuluar në mënyrë të autorizuar informacione që mund të ndahen dhe informacione që mund të deklasifikohen, duke ndikuar kështu në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve shtetërore. Deputetja znj.Ermonela Felaj (Valikaj) në cilësinë e relatores vlerësoi rëndësinë e nismës, risitë që sjell dhe theksoi nevojën e rishikimit të legjislacionit aktual në lidhje me informacionin e klasifikuar. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim projektligjin në fjalë, ndërkohë që shqyrtimi nen për nen i tij do të vijojë në mbledhjet e radhës së komisionit. Rendi i ditës vijoi me shqyrtimin në cilësinë e komisionit përgjegjës të projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën mbi Organizatën Ndërkombëtare për ndihmat detare në lundrim”, i cili u prezantua nga z.Niko Peleshi, ministër i Mbrojtjes dhe u relatua nga deputeti z.Eduard Ndreca. Gjatë prezantimit, z. Peleshi informoi komisionin mbi çështjet kryesore që synohen të arrihen nëpërmjet zbatimit të kësaj Konvente, në kuadër të politikave të ndërmarra për plotësimin e kuadrit ligjor, për të garantuar sigurinë në lundrim. Ndër të tjera, ministri Peleshi theksoi se anëtarësimi i vendit tonë në Organizatën Ndërkombëtare për  Ndihmat Detare në Lundrim dhe aderimi në Konventë do të mundësojë plotësimin me sukses të kuadrit ligjor në fushën e detarisë dhe hidrografisë, arritjen e standardeve të sigurisë hidro-lundrimore, duke e përfshirë Shqipërinë në hartën e vendeve të sigurta dhe me standarde në Evropë dhe rajonin e Detit Mesdhe, kontaktin e vazhdueshëm dhe përditësimin me zhvillimet teknologjike, shkëmbimin e njohurisë dhe ekspertizës në fusha specifike me vendet e tjera anëtare; etj. Deputeti z.Eduard Ndreca, në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e nismës për krijimin e një instrumenti efikas për të përfituar nga praktikat, teknikat dhe kapacitetet më të mira të vendeve anëtare të Konventës, si dhe për të forcuar bashkëpunimin në interes të sigurisë rajonale detare.  Duke vlerësuar kushtetutshmërinë e projektligjit, z.Ndreca ftoi kolegët ta miratojnë atë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare të radhës.

Mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin e tre kërkesave të bëra nga KQZ,  për rishikimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit me kohë të plotë dhe jo të plotë pune, që do të rekrutohet për realizimin e procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore të vitit 2023, si dhe asgjësimin e materialeve zgjedhore të procesit zgjedhor të 6 marsit 2022. Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin z.Ylli Merkaj, Sekretar i Përgjithshëm pranë KQZ, si dhe përfaqësues nga KQZ dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Gjatë parashtrimit të kërkesave, z. Merkaj u shpreh se propozohet rekrutimi i  352 punonjës me kohë jo të plotë pune që do të asistojnë KQZ për realizimin e procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore të vitit 2023, si dhe shtimi i strukturës së përhershme të KQZ me 10 punonjës, të cilët do të rekrutohen në drejtorinë e ngritur për çështjet e votimit të emigrantëve. Deputeti z.Toni Gogu në cilësinë e relatorit mbështeti kërkesat e paraqitura nga KQZ, duke ftuar kolegët ti miratojnë. Pas diskutimeve komisioni vendosi miratimin e tre projektvendimeve dhe kalimin për shqyrtim seancës plenare të radhës.


Share