Kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Japoni, Z. Laert Duraj zhvilloi një takim kortezie me Ambasadorin e Japonisë në Tiranë, SH.T.Z. Mitsuyuki Takada

  • Postuar më, 21/09/2022

Më 21 shtator 2022, Kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Japoni, Z. Laert Duraj zhvilloi një takim kortezie me Ambasadorin e Japonisë në Tiranë, SH.T.Z. Mitsuyuki Takada. 

Z. Duraj pasi i uroi mirëserdhjen e Ambasadorit Takada u shpreh se Japonia është një partner i besueshëm dhe shumë i rëndësishëm i Shqipërisë. “Për ne prezenca e Japonisë është shumë e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Rajonin e Ballkanit” – u shpreh Z. Duraj.

Ambasadori Takada pasi e uroi Z. Duraj për zgjedhjen e tij si Kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Japoni tha se dëshiron të bashkëpunojë me Z. Duraj për të forcuar më tej marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Japonisë, përfshirë edhe fushën e tregtisë dhe investimeve.Ambasadori Takada tha se këtë vit dy vendet përkujtuan 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve miqësore mes Japonisë dhe Shqipërisë dhe shtoi se do të bënte përpjekje për të forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, përmes bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës lokale dhe sistemit shëndetësor, si dhe përmes organizimit të Javës së Kulturës Japoneze.

Z. Duraj duke falenderuar Z. Takada për mbështetjen e vazhdueshme dhe konkrete të Japonisë theksoi se Shqipëria mund të kthehet në një qendër logjistike për biznesin japonez në Ballkanin Perëndimor por edhe për Evropën, si dhe i kërkoi Ambasadorit Japonez që të ftojë bizneset Japoneze në Shqipëri. Në këtë kontekst, Z. Duraj pyeti Ambasadorin Japonisë se cilat produkte janë atraktive për t’u eksportuar në tregun japonez dhe mbi mundësinë e koordinimit për të mundësuar që këto produkete të arrijnë në treg. Z. Takada informoi Kryetarin Duraj se Ambasada po përgatit një strategji të qartë për të mundësuar lehtësira për eksportin e produketeve shqiptare në tregun japonez.

Z. Duraj ftoi Ambasadorin Takada për një vizitë në zonën e tij elektorale në Qarkun e Gjirokastrës për t’u njohur me burimet dhe resurset e zonës dhe për të parë mundësinë e investimeve japoneze në zonë dhe rritjen e eksporteve, veçanërisht të vajit të ullirit. Z. Takada e pranoi ftesë dhe u shpreh i gatshëm për ta vizituar zonën së shpejti.



Share