Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvillon një seancë dëgjimore me Ministren e Mbrojtjes znj. Olta Xhaçka

  • Postuar më, 06/03/2018

Komisioni për Sigurinë Kombëtare, me kërkesë të ¼ së deputetëve të opozitës, në zbatim të neni 32 dhe 36 të Rregullores së Kuvendit, zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Ministrin e Mbrojtjes; Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura; Drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes për praktikën e ndjekur, dhe procedurën e plotë të propozimit të z. Artur Meçollari si pjesë e grupit negociator për Marrëveshjen e Detit me Greqinë si dhe informacionin që disponojnë këto autoritete mbi integritetin e këtij individi duke përfshirë arsyet e përjashtimit të tij të mëparshëm nga Forcat e Armatosura.

Në mbledhjen e Komisionit ishte e pranishme Ministrja e Mbrojtjes z. Olta Xhaçka, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura z. Bardhyl Kollçaku, Drejtori i AIMS-së, z. Bardhyl Nuredinaj.

Lidhur me kërkesën e bërë nga opozita për zhvillimin e seancës dëgjimore, zëvendëskryetari i komisionit, z. Flamur Noka bëri një relatim të kërkesës duke u shprehur se: “Gjatë këtyre ditëve është bërë e ditur për opinionin publik i ashtuquajturi grup negociator i propozuar nga pala shqiptare për marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë. Sipas informacioneve të bëra publike, njëri prej negociatorëve, z. Artur Meçollari është pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe njëri prej negociatorëve. Akuzohet nga ish-autoritetet e larta të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shërbimit Informativ të Ushtrisë se nuk disponon integritetin e nevojshëm për të qenë pjesë e grupit negociator. Mbi të rëndojnë akuza se gjatë ushtrimit të detyrës ka dhënë informacion palëve të treta, ka mbajtur kontakte me oficer të lartë të shërbimeve të vendeve jo partnere në mënyrë të paautorizuar. Ndaj ne, si deputetë të opozitës, në ushtrim të funksionit dhe detyrës tonë, dhe në funksion të detyrës për të bërë transparencë me qytetarët e vendit tonë, pasi kjo çështje është mjaft delikate, kërkojmë këtë seancë dëgjimore me Ministren e Mbrojtjes”.

Për këtë kërkesë, Ministrja e Mbrojtjes, z. Olta Xhaçka dha shpjegimin e saj duke u shprehur se z. Artur Meçollari është një ndër ushtarakët me integritetin më të lartë në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, si edhe një ndër ekspertët më të mirë të së drejtës detare. “Artur Meçollari, personalisht e kam takuar për herë të parë në jetën time në fund të nëntorit të vitit 2017. E gjeta në Kabul ku punonte prej 11 muajsh si përfaqësuesi më i lartë ushtarak shqiptar në Misionin e NATO-s në Afganistan. Nuk kam ardhur këtu për të bërë apologjinë e askujt, as më pak Kapitenit të marinës Meçollari. Sepse besoj se u ka takuar dhe u takon ushtarakëve të vlerësojnë kolegët e tyre për ecurinë në karrierë dhe padyshim që kanë qenë edhe Ministra të tjerë që e kanë ndjekur nga afër karrierën dhe ecurinë e tij si ushtarak në shumë detyra dhe shkollime brenda dhe jashtë vendit. Por e pranova kërkesën e komisionit për këtë dëgjesë sepse gjykoj se kam përgjegjësinë për të sqaruar disa fjali të hedhura qëllimisht lart e poshtë me kujdesin për të poshtëruar jo një individ, por një proces të tërë që ka të bëj me të ardhmen e vendit tonë, të ardhmen gjeografike, por edhe atë historike, të përcaktimi të asaj që është e jona dhe asaj që është e fqinjëve. Çështja e delemitimit të hapësirave detare është një çështje sa komplekse aq edhe delikate. Aty ndërthuren element diplomatik, juridik dhe teknik ku përfshihet edhe navigacioni detar, hartografia apo të tjerë element të detarisë për të cilat me siguri askush nga ne këtu nuk është ekspert. Ndaj në këto raste kërkohet përfshirja e disa institucioneve sëbashku për të pasur një analizë të plotë për procesin me gjithë elementët e tij. Për këtë qëllim, në përballjet diplomatike me palën greke ka qenë e nevojshme mbështetja me ekspertizë në fushën e të drejtës së detit dhe çështjeve detare. Kapiten Meçollari dhe bashkë me të edhe ekspertë tjerë, kanë një eksperiencë të gjatë dhe solide praktike. Ata janë marrë me studimin e çështjeve të së drejtës së detit dhe aplikimit të saj në vendin tonë. Kapiteni i marinës ka dhënë kontributin dhe ka ofruar konsulencën e tij për disa Ministra të Mbrojtjes, dhe Ministra të Jashtëm, posaçësrisht për analizën e situatës para dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 dhe në vazhdim edhe ku Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Jashtme drejtohej nga opozita e sotme. Vendi ynë ka pak ekspert të spikatur në fushën e të drejtës së detit, një ndër të cilët është edhe Artur Meçolari”,- tha ndër të tjera Ministrja e Mbrojtjes.


Share