Anëtarët e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, zhvilluan një vizitë pune në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura

  • Postuar më, 06/02/2018

Anëtarët e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, zhvilluan një vizitë në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura

Në këtë takim, anëtarët e komisionit u pritën nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku.

Z. Kollçaku njohu anëtarët e komisionit me misionin, detyrat, ecurinë e punës dhe plotësimit të objektivave të Forcave të Armatosura për vitin 2018, plotësimin e angazhimeve në kuadër të aleancës së NATO-s si edhe problematikat që kërkonin ndërhyrje ligjore për zgjidhjen e tyre.

Kryetarja e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, znj. Ermonela Felaj i kërkoi Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura që problematikat e konstatuara t’i drejtohen komisionit parlamentar në një përmbledhje zyrtare për të gjetur mundësitë e mbështetjes në rrugë parlamentare, nga ana e komisionit.

Në përfundim të takimit, znj. Ermonela Felaj iu përgjigj interesit të gazetarëve të pranishëm duke dhënë një prononcim për mediat.

Znj. Felaj cili ishte qëllimi i kësaj vizite?

“Faleminderit për interesimin tuaj dhe faktin që ju na keni ndjekur vazhdimisht në vizitat informuese që Komisioni Parlamentari për Sigurinë Kombëtare ka zhvilluar në institucionet ndryshme të përgjegjësisë. Besoj se është rasti i parë që një komision parlamentar vjen pranë Forcave të Armatosura. Por uroj shumë që të mos jetë një rast i fundit.

Ju e patë edhe vetë që ne qëndruam një kohë relativisht jo të shkurt pranë Forcave të Armatosura dhe patën të gjithë mundësinë për tu njohur me detaje me organizimin dhe punën e tyre, dhe nga ana tjetër, ajo që është më e rëndësishmja, të njiheshim me problematikat.

Çfarë mundemi ne të bëjmë si Kuvend i Shqipërisë, që i rekomandojmë ministrive, Ministrisë së Mbrojtjes, ministrive të tjera që e kanë të lidhur punën me FA që të avancojnë kuadrin ligjor që akomodojmë më mirë nevojat e ushtarakëve.

Ka disa nevoja. Nëse më lejoni t’i them, është e nevojshëm që të ketë një akt ligjor i cili rregullon të gjitha pronat që kanë dalë nga përgjegjësitë e Ministrisë së Mbrojtjes, që bëhet akoma më e rëndësishme me faktin që ne na duhet të sigurojmë një mbulim sa më të mirë të këtyre pronave që në të shkuarën, edhe të afërtën, këto prona kanë shërbyer edhe si mundësi nga njerëz të përfshirë në krimin e organizuar, që t’i përdorin si baza për të fshehur asete të ndryshme kriminale.sig 1

Dihet tani që edhe në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, ka një vëmendje të jashtëzakonshme dhe një bashkëpunim të shkëlqyer midis Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes për t’i vëzhguar të gjithë këto prona që shkojnë në rreth 1100 në të gjithë Shqipërinë, që kanë dalë nga përgjegjësia e Ministrisë së Mbrojtjes në vite. Por që lufta kundër krimit të organizuar dhe kundër kanabisit e bën të nevojshme monitorimin në vijimësi të tyre dhe natyrisht kërkohet edhe një zgjidhje ligjore që FA ta ndajnë përgjegjësinë edhe me aktor të tjerë në territor.

Nga ana tjetër, një problem për të cilin edhe Kolegët deputet u interesuan ishte edhe një ngjarje që është bërë publike nëpërmjet njërit prej emisioneve investigative. Bëhet fjalë për një depo ku ruhen lëndë që janë të rrezikshme për jetën e shëndetit të njerëzve në Gramsh. Mesa kam ndjekur personalisht u pa qartësisht që ka qenë një problem i mbarur ndër vite, të paktën që nga vitit 2005.

Na u bë shumë qejfi, jo si deputet, por në radhë të parë si njerëz që jetojmë në këtë vend, sepse FA jo vetëm ishin të gatshme për të përballur këtë problematikë në një pronë që i ka kaluar në pronësi Bashkisë së Gramshit dhe natyrisht që kjo bashki e ka të pamundur, qoftë në kapacitete financiare por edhe njerëzore, për ta zgjidhur atë problem. Forcat e Armatosura kanë vajtur atje, kanë marrë mostra për të bërë analizë të lëndëve dhe është një nga ato hot-spote që shumë shpejt do ta largojnë prej Bashkisë së Gramshit.

Shpresoj që ky është një lajm i mirë për qytetarët dhe për të gjithë ne. Shqipëria vjen nga një histori jo e mirë në këtë pikë dhe Forcat e Armatosura kanë bërë dhe natyrisht kanë shumë për të bërë për të çmilitarizuar pika të tilla të nxehta që me kalimin e kohës janë bërë edhe të rrezikshme.

Znj. Felaj, përpara disa kohësh u bë publike edhe çështja e radarëve për kontrollimin e mjeteve lundruese. A diskutua nga ju për këtë çështje, për problematikë e mosfunksiomit të radarëve meqenëse kanë dal edhe disa shkresa zyrtare?

E vërteta e historisë së radarëve natyrisht nuk mund të trajtohet në disa minuta deklarim. QNOD nuk është një qendër që varet nga Forcat e Armatosura. Kështu që natyrisht duhet të shkojmë aty ku janë përgjegjësitë për të kuptuar më shumë. Ajo është një qendër që ka pasur realisht probleme por që ne jemi kujdesur, që nga momenti që kemi ardhur në pushtet si mazhorancë për të zgjidhur shumë prej tyre.

Kujtoj që radarët deri në shtatorin e vitit 2013 ishin të fikur. Ndërkohë që është bërë maksimumi për t’i riaktivizuar dhe për t’i përdorur në ruajtjen dhe mbrojtjen e integritetit tonë territorial dhe natyrisht edhe si pjesë e ndihmës në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve.

Po ashtu më vjen mirë të nënvizojë që buxhetimi më i mirë që është zënë ndonjë herë për institucionet qendrore, të paktën 10 vitet e fundit, është ai që i është dhënë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme. Këtë na e konfirmuan edhe Forcat e Armatosura. Jam besim plotë që do të dinë të përdoren në projektet e duhura me qëllim që këto kapacitete t’i shtojmë, t’i fuqizojmë, t’i përmirësojmë dhe t’i marrim atyre maksimumin.

Ministria e Mbrojtjes përveç ushtarakëve në detyrë ka përgjegjësi edhe për ushtarakët në liri ose në dispozicion. Një nga premtimet mazhorancës të paktën përpara 2013 ka qenë statusi i tyre. A ka hap konkret nga mazhoranca për statusin e ushtarakëve?

Unë mund t’ju sjell në vëmendje një premtim publik të kryeministrit z. Edi Rama që u bë në rastin e fundit, përballimi me sukses i një përmbytje. Po flas për përmbytjen e muajit dhjetor që ndodhi në disa bashki apo territore të vendit tonë dhe që natyrisht, Forcat e Armatosura u angazhuan maksimalisht dhe fatmirësisht ne nuk patëm asnjë jetë njerëzore të humbur, por edhe dëme të tjera aq të mëdha.

Kryeministri ka premtuar se duke filluar që nga viti 2019, trajtimi financiar që është dhe shumë i rëndësishëm për të kuptuar edhe sa të motivuar do t’i kemi njerëzit në territor, do të ndryshojë për këto forca.

Jam e bindur që kjo do të ndodh njësoj sikundër ndodhi me trupën e policisë të cilët në pak kohë arritën të mirë-financohen, arritën të mirë-pajisen, dhe problemet të së shkuarës nga ato më banalet që nisnin deri tek mungesa e karburantit nuk ekzistojnë më.

Kjo është pjesa që na takon ne, ti motivojnë në mënyrë ne duhur, ti bëjmë dinjitoz në detyrën e tyre, por natyrisht, edhe si ligjvënës, të kërkojmë llogari që ato të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre deri në fund.


Share