Komisioni Për Sigurinë Kombëtare zhvilloi një seancë dëgjimore lidhur me masat e marra për zbatimin e ligjit “Për masat shtesë të Sigurisë Publike”, si dhe nxjerrjen e akteve nënligjore për këtë ligj

  • Postuar më, 24/01/2018

 

Komisioni Për Sigurinë Kombëtare zhvilloi një seancë dëgjimore me Drejtorin e Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, z. Altin Qato lidhur me masat e marra për zbatimin e ligjit “Për masat shtesë të Sigurisë Publike” si dhe nxjerrjen e akteve nënligjore për këtë ligj.

Në fjalën e tij përpara anëtarëve të Komisionit, z. Qato bëri një rezyme të zbatimit të ligjit në praktikë dhe qëllimin e tij.

“Qëllimi i miratimit të këtij ligji është që të rregullojë veprimtarinë e personave fizik dhe juridik, publik dhe jo publik që menazhojmë apo administrojnë veprimtari apo objekte publike ose jo publike, mjete të transportit publik, njësi të veçanta shërbimi, sheshe publike, ambiente banimi, parkingje etj, kjo në funksion të rritjes së sigurisë nëpërmjet kontrollit me kamera sigurie, pajisje të teknologjisë së larta me shërbimin e shoqërive private të sigurisë fizike etj. Gjithashtu, ligji ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit të biznesit me policinë e shtetit duke dhënë siguri për mbarëvajtje të aktiviteteve dhe jetës në përgjithësi dhe duke e konsideruar atë jo vetëm një partner të fuqishëm”,- u shpreh Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit.

Z. Qato në fjalën e tij u shpreh se me miratimin e këtij ligji në muajin shtator të vitit 2016, u përcaktua një periudhë tranzitore disa mujore gjatë të cilës subjektet kishin mundësi të njihnin ligjin, të organizoheshin dhe të përgatiteshin dhe më pas të kalojnë në zbatimin e tij, periudhë në të cilën nuk do të aplikoheshin sanksione për mos respektim të detyrimeve të përcaktuara. “Njëkohësisht gjatë kësaj periudhe tranzitore nga Ministrja e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit u përgatitën aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji. Dua të theksoj se për herë të parë në Shqipëri është miratuar dhe po implementohet një ligj i tillë për zbatimin e të cili Policia e Shtetit ka mbajtur dhe po mban një peshë të konsiderueshme të përgjegjësisë dhe të menaxhueshme me qëllim që ligji të zbatohet në mënyrë të unifikuar në të gjithë vendin dhe të ketë efekte direkte në përmirësimin e cilësisë së jetës në Shqipëri duke rritur standardin e sigurisë dhe parandalimin e kryerjes së veprimtarisë kriminale dhe akteve të tjera të rënda”,- u shpreh z. Qato.

Pas prezantimit të bërë nga ana e Drejtorit të Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, z. Altin Qato lidhur me masat e marra për zbatimin e ligjit “Për masat shtesë të Sigurisë Publike” si dhe nxjerrjen e akteve nënligjore, anëtarët e Komisionit vijuan me pyetje lidhur me problematikat e hasura në zbatimin e tij.


Share