Komisioni për Sigurinë Kombëtare shqyrton në parim buxhetin për vitin 2018 për Ministrinë e Mbrojtjes

  • Postuar më, 07/11/2017

Për të prezantuar buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, e  ftuar në komision ishte Ministrja e Mbrojtjes, znj. Olta Xhaçka. Gjatë fjalës së saj znj. Xhaçka theksoi se buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2018, siguron vazhdimësinë e zhvillimit të reformës së mbrojtjes, në përputhje me angazhimet dhe detyrimet si vend anëtar i NATO-s dhe kërkesat e dokumenteve kryesorë të planifikimit dhe programimit që ne kemi për Forcat e Armatosura.

“Shqipëria ka marrë një angazhim në Samitin e Uellsit në vitin 2014, që buxheti i mbrojtjes deri në vitin 2024 të arrijë vlerën e 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Shpenzimet kapitale, kanë një rritje prej 32% më shumë se sa 2017.

Ne buxhetin do ta ndihmojmë edhe me asistencën e aleateve dhe grantet për vitin 2018. Janë 230 mjete te blinduara, që nëse do të bliheshin të reja, mund të kapnin një vlerë të përafërt me 40 milion dollarë amerikane. Në fund të këtij viti, Ministria italiane e Mbrojtjes do të dhurojë 5000 armë automatike, vlera e të cilave, nëse do te bliheshin do të kapte vlerën e 7 milion eurove, si dhe do të përfitojmë edhe nga granti i përvitshëm turk, rreth 1 milion dollarë ne vit”, - tha ministrja znj. Xhaçka.

Gjatë prezantimit të buxhetit, znj. Xaçka vuri në dukjet se ka një ri-dimensionim të punës së forcave të armatosura në shërbim të komunitetit për emergjencat civile,  për t’iu përgjigjur sa me shpejt të gjitha emergjencave me të cilat përballet popullata.

Znj. Xhaçka u ndal dhe tek prioritetet dhe objektivat kryesore të ministrisë. “Sistemet e armatimit në anijet patrulluese, janë një objektiv tjetër me rëndësi. Për këtë qëllim, Ministria e Mbrojtjes ka planifikuar në buxhet projektin e  pajisjes së anijeve patrulluese të klasit Iliria me sistem armatimi 20 mm. Gjithashtu, prioritet do të kenë sistemet e mbështetjes me zjarr, sistemet e zbulimit taktik, sistemet vetëmbrojtëse të helikopterëve. Një projekt tjetër i rëndësishëm, sikurse thuhet në programin e qeverisë është Grup batalioni i këmbësorisë së lehte,  si një pjesë tejet e rëndësishme e paketës së objektivave të kapaciteteve të NATO-s për vendin tone”, - u shpreh znj. Xhaçka, duke shtuar se  prioritet do të ketë dhe ndërtimi i objekteve të reja dhe rikonstruksionet e ambienteve të Forcave të Armatosura për krijimin e kushteve të sigurisë në njësitë e reparteve ushtarake, etj.

Në cilësinë e relatorit, deputeti i mazhorancës, z. Xhemal Qefalia u shpreh se ky buxhet nis në një fazë të re të thellimit të reformave të ndërmarra gjatë këtyre katër viteve, duke u fokusuar në rritjen ekonomike dhe me sjelljen sa më afër të shërbimeve publike të qytetarit, si  dhe institucioneve më të rëndësishme për realizimin dhe përputhjen e interesave të vendit.

Në përfundim, ministrja e Mbrojtjes,  znj. Olta Xhaçka i’u përgjigj të gjitha pyetjeve të drejtuara nga anëtarët e komisionit, të cilët në përfundim e miratuan në parim projekt buxhetin e vitit 2018 të kësaj ministrie.


Share