Komisioni Për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Shqipërisë dhe Suedisë, për programin “Forcimi i Policimit të Komunitetit në Shqipëri”

  • Postuar më, 25/09/2017

Komisioni Për Sigurinë Kombëtare shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, për programin “Forcimi i Policimit të Komunitetit në Shqipëri” (2017-2020).

Të ftuar ishin Zv.Ministri i Brendshëm, Stefan Çipa dhe Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Altin Qato.

Duke prezantuar marrëveshjen para anëtarëve të komisionit Zv.Ministri i Brendshëm, Çipa tha se projektligji është vazhdimi i programit të parë që ka nisur në vitin 2012. “Vazhdimi i kësaj marrëveshjeve konsiston në tre drejtime kryesore: në mbështetjen e policimit në komunitet në drejtoritë rajonale të policisë, mbështetja për menaxhimin strategjik dhe mbështetja për dhunën në familje. Marrëveshja është një bashkëpunim midis policisë dhe komunitetit. Pjesa e parë e zbatimit të marrëveshjes do të bëhet në dy drejtori, në atë të Elbasanit dhe të Kukësit. Pastaj do të shtrihet si projekt edhe në drejtoritë e tjera”, tha z. Çipa, teksa shpjegoi se fondi për këtë projekt është 3.3 milionë euro dhe është i detajuar për çdo vit.

Relatori i projektligjit, Pjerin Ndreu, theksoi se kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë, pasi synon të ndërhyjë në një çështje kryesor siç është policimi në komunitet. “Investime dhe projekte këtij lloji janë për t’u mbështetur dhe inkurajuar jo vetëm nga ne si parlamentarë por nga e gjithë shoqëria shqiptare. Është shumë e rëndësishme që niveli i besimit ndaj policisë të rritet”, - tha z. Ndreu.

Pas pyetjeve drejtuar të ftuarve dhe diskutimeve mes deputetëve, Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim dhe në tërësi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, për programin “Forcimi i Policimit të Komunitetit në Shqipëri” (2017-2020).


Share