Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi mbledhjen e fundit të kësaj legjislature.

  • Postuar më, 18/04/2017

Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në drejtimin e kryetarit të komisionit, z. Spartak Braho, në mbledhjen e fundit të kësaj legjislature shqyrtoi dy projektligje të rëndësishme. Në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, komisioni shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e ndryshimit nr. 7 të marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, të ratifikuar me ligjin nr. 174/2013”. Të pranishëm gjatë diskutimit në komision ishin përfaqësues nga drejtoria e Borxhit Publik dhe nga ALIIS. Komisioni dha miratimin e tij për këtë marrëveshje. Diskutimet në komision vijuan me shqyrtimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 141/2016, “Për dhënie amnistie”. I pranishëm në komision ishte zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Stefan Çipa. Projektligji ishte propozim i një grupi deputetësh nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare dhe gjeti miratimin në parim, nen për nen dhe në tërësi.


Share