Komisioni për Sigurinë Kombëtare shqyrtoi në parim projektbuxhetin e vitit 2017, për Ministrinë e Mbrojtjes

  • Postuar më, 21/11/2016

Komisioni për Sigurinë Kombëtare shqyrtoi në parim  buxhetit e  Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2017, si edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9363, datë 24.3.2005 “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, të ndryshuar.
 
E pranishme në mbledhjen e komisionit ishte Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, e cila bëri edhe një prezantim të projektbuxhetit për vitin 2017.
 
Sipas Ministres Kodheli, projektbuxheti i vitit 2017 parashikon një rritje për buxhetin e mbrojtjes, duke shtuar se nëpërmjet këtij financimit do të arrihet plotësimi i kritereve të përcaktuara në NATO në mënyrë të parakohshme, si ofrimi i makinave të blinduara për transportin e Forcave të Armatosura, pajisja me mjete luftarake moderne, ofrimi i dietës ushqimore për ushtarakët etj.
 
“Projektbuxheti i vitit 2017 garanton një mbështetje të plotë financiare në zbatim të reformave kyçe në një sektor të rëndësishëm, si ai i mbrojtjes. Por, sigurisht është edhe një garanci në realizimin e objektivave tona në përgjegjësi. Ku flitet për detyrimet tona kushtetuese, po ashtu dhe angazhimet tona si pjesë e NATO-s. Programi i qeverisë në vitin 2017 në fushën e mbrojtjes në fakt ka disa objektiva ambicioz. Objektiva të cilat ne ja vumë vetes edhe përgjatë këtyre 3 viteve të fundit të qeverisjes, dhe unë mund t’ju them me garanci të plotë që plotësimi i angazhimeve tona për vitin 2018 apo 2019 që kanë lidhje me realizimin e objektivit final, përgatitjen e grup batalionit të dytë të këmbësorisë të gatshëm për të qenë aktiv dhe për të lëvizur sa herë që aleanca ta kërkojë, do të mund ta realizojmë brenda vitit 2017. Duket paradoksale në fakt, por ndërkohë besoj që me angazhimin e parave në buxhetin e këtij vitit por edhe me angazhimin e partnerëve tanë kryesorë, partnerët tonë strategjik SHBA dhe partnerit tonë të rëndësishëm siç është Republika Italiane, do të mundësojmë plotësimin dhe realizimin mbështetjen me armatim, municion të standardeve të NATO-s dhe transport Strategjik të këtij batalioni deri në detaje dhe kjo mundësojë realizmin e një angazhimi, i cili dihet të përmbushej nga ana jonë në vitin 2019”,- theksoi Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli.
Më pas, Komisioni zhvilloi diskutimet për buxhetin vjetor 2017, për Ministrinë e Mbrojtjes, duke e miratuar atë në parim.
 
Komisioni miratoi gjithashtu në parim dhe në tërësi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9363, datë 24.3.2005 “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, duke i kaluar për shqyrtim seancës plenare.


Share