Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratuan dy ligje të rëndësishme.

  • Postuar më, 13/09/2016

Për të paraqitur projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8750, datë 26.3.2001, “Për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope ” të ndryshuar, i ftuar  në komision ishte Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Stefan Cipa. Sipas Cipës, ky ligj  synon  autorizimin  ligjor për nxjerrjen e aktit nënligjor për trajtimin e bimëve, lëndëve narkotike apo psikotrope dhe prekursorëve të tyre. “Ky akt nënligjor është një autorizim i përbashkët midis  ministrisë së Mjedisit,ministrisë së  Punëve të Brendshme, ministrisë së  Shëndetësisë dhe Prokurorisë së  Përgjithshme, për të gjithë procedurën e trajtimit të lëndëve narkotike dhe psikotropeve që nga sekuestrimi  dhe deri tek procedurat e asgjësimit. Është një ligj teknik, afatgjatë që i shërben Policisë së Shtetit, si dhe ruajtjes së shëndetit të punonjësve që merren me trajtimin dhe asgjësimin e këtyre lëndëve narkotike të sekuestruara  nga policia, si dhe ndotjes së mjedisit”- përfundoi Cipa. Po sot, komisioni i Sigurisë shqyrtoi dhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9270, datë 29.7.2004 “Për sistemin e adresave në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”. Pas diskutimeve të dy komisionet ranë dakord për kalimin e tyre në seancë plenare.    


Share