Komisioni për Sigurinë Kombëtare shqyrtoi sot dy projektligje të rëndësishme.

  • Postuar më, 11/07/2016

 Gjatë shqyrtimit të projektligjit ” Për disa ndryshime në ligjin nr 7835 dt 21.01.2015? Kodi Penal i RSH-së, i ndryshuar”, ministri i Drejtësisë, z. Manjani sqaroi arsyet e këtij ndryshimi. 

Ministri z. Manjani u shpreh se aktualisht masa e dënimit për armëmbajtjen pa leje është më e lartë se sa veprat penale që paraqesin rrezikshmëri më të lartë për shoqërinë. Për këtë çështje, z. Manjani tha se ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese na dha ne mundësi të shqyrtojmë ligjin me proporcionalitet. Vepra penale e armëmbajtjes pa leje ka një vakum në Kodin Penal neni 278. Kemi pasur konsulencë me gjyqtarë penalistë dhe nga ekspertë të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjykata Kushtetuese është shprehur për shfuqizimin e nenit 55 për bashkim matematik të dënimeve. Tani aplikohet dënimi më i rëndë i marrë, jo ai matematik. Neni 279 ka ndryshuar, për të vendosur dënimin penal në kushte më logjike”, tha z. Manjani.

Deputeti Luan Rama u shpreh se kjo është ndërhyrja e 17 që i bëhet këtij ligji në 3 vjet të koalicionit. “Kjo tregon mungesë serioziteti dhe vizioni, është ndërhyrja e 17 në Kodin Penal. Është shkelur parimi i proporcionalitetit. Edhe dënimi për kasat fiskale dhe faturat e energjisë janë kundër këtij parimi. Mendoj se do ishte më mirë që Kodi Penal të bëhej nga e para”, tha z. Rama.

Anëtarët e Komisionit shqyrtuan edhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr 108/2013 “Për të huajt”.

Zv. Ministri i Brendshëm, z. Stefan Cipa shpjegoi risitë e kësaj nisme, duke sqaruar se nga ligji ekzistues janë krijuar një sërë vështirësish.

“Në fushën e trajtimit të të huajve ka një sërë ndryshimesh që ka trajtuar Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë se si trajtohen specialistët e ndryshëm, kompanitë multirajonale. Një ndryshim rrënjësor është trajtimi që i bëhet shtetasve me kombësi shqiptare që vijnë kryesisht për arsimim. Ky projektligj bën rregullime edhe porsa i takon trajtimit të personave me qëndrim të parregullt”, tha z. Cipa.

Ndryshimet në këtë ligj kanë të bëjnë me shumë me terminologjinë për shkak të problematikës që ato kanë sjellë. Këto gjëra mund të zgjidheshin që në momentin që është miratuar ligji pasi nuk janë problematika të reja që BE i kërkon sot pas dy vitesh. Kjo do të donte një kujdes më të madh të hartuesve të ligjeve. Ndryshimet e propozuara synojnë përmirësimin e disa aspekteve të regjimit dhe të trajtimit të të huajve. Ky projektligj është përafruar pjesërisht me gjithë legjislacionin që kërkon zhvillimin aktivitetit të tillë nga strukturat e Ministrisë së Brendshme.  

--


Share