Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi seancë dëgjimore me Ministrin e Brendshëm, z. Sajmir Tahiri në lidhje me situatën e fundit mbi emigracionin

  • Postuar më, 23/03/2016

Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi seancë dëgjimore me Ministrin e Brendshëm, z. Sajmir Tahiri në lidhje me situatën e fundit mbi emigracionin. Të ftuar përveç z. Tahiri ishin edhe Zv.Ministrja e Brendshme, znj. Elona Gjebrea dhe nga Drejtori Përgjithshëm i Kufirit, z. Genc Merepeza. Ministri i Brendshëm tha se Shqipëria ka marrë masat paraprake për të përballuar një fluks eventual emigrantësh me origjinë nga vendet e luftës. “Vendi ynë, ashtu si të gjitha vendet e rajonit apo Europës nuk është imun nga faktori emigrant. Vendi ynë në këtë kuadër ka marrë masat paraprake, duke rritur nivelin e sigurisë dhe monitorimit të kufijve. Më lejoni t’ju them se rreth 5000 emigrant nga vendet e luftës kanë tentuar të hyjnë në vendin tonë përmes kufirit të gjelbër apo në kufi. Policia me të identifikuar personat, ka kryer procedurat e riatdhesimit, duke ia dorëzuar palës nga ku kanë kaluar kufirin”, - u shpreh Ministri Tahiri. Ministri i Brendshëm theksoi se kriza humanitare e emigrantëve duhet të shihet në dy plane kryesore. “E para është çështja humanitare, ku Shqipëria ashtu si të gjitha vendet e Bashkimit Europian duhet të luaj rolin e saj por gjithnjë aq sa mund të mbajmë, pa kaluar mundësitë tona dhe gjithnjë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët. Nga krahu tjetër është frika nga terrorizmit, pra luftëtarëve, që fshihen pas këtyre rrymave migratore dhe në këtë drejtim, masat janë edhe më të mëdha. Bashkëpunimi me Europol, Interpol dhe gjithashtu me të gjitha policitë partnere dhe në kufi, veçanërisht me atë të Italisë, na jep mundësinë për të identifikuar dhe për të kapur në kohë identitetin e personave që kërkojnë të përdorin në mënyrë tranzitore vendin tonë, por deri tani nuk ka asnjë shqetësim lidhur me këtë”, - theksoi z. Tahiri. Gjithashtu, Ministri i Brendshëm bëri me dije se ligji për rritjen e sigurisë, ligji për forcimin e dënimeve ndaj veprave terroriste si dhe shtimi i masave të sigurisë ka bërë që të mos regjistrohet asnjë rast i largimit të shtetasve shqiptarë drejt vendeve të luftës.


Share