Komisioni për Integrimin Europian miraton një projektligj të rëndësishëm

  • Postuar më, 16/03/2016

 

Komisioni për Integrimin Europian miraton një projektligj të rëndësishëm

Komisioni për Integrimin Europian shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e financimit ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Komisionit Europian për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar Mal i Zi – Shqipëri 2014-2020, alokim i vitit 2014, në kuadër të instrumentit IPA II”.

E pranishme në mbledhjen e komisionit ishte zëvendësministrja për Integrimin Europian, znj. Erisa Xhixho.

Programi i bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi - Shqipëri për periudhën 2014- 2020 u miratua nga Komisioni Evropian më 10 dhjetor 2014, si një vazhdimësi e programit të bashkëpunimit midis dy vendeve për periudhën 2007-2013.

Programi ndërkufitar IPA, ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, mbulon një territor prej 11 970 km2 me një popullsi të përgjithshme prej rreth 749 257 banorë banor. Gjatësia e vijës kufitare është 244 km, nga të cilat 38 km janë kufij ujorë. Në Shqipëri zona përfituese e programit është e përbërë nga tri njësi administrative, rajonet e Lezhës dhe Shkodrës dhe rrethi i Tropojës, duke zënë 47.9% të sipërfaqes së programit.

Objektivi i përgjithshëm i këtij programi për periudhën 2014-2020 është të promovojë/forcojë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe zhvillimin socialekonomik të rajoneve kufitare, nëpërmjet vlerësimit të potencialeve të tyre turistike, zhvillimit ekonomik ekologjikisht të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, me respektin për trashëgiminë e përbashkët kulturore dhe natyrore.

Objektivat specifike të programit janë nxitja e turizmit dhe e trashëgimisë kulturore dhe natyrore; mbrojtja e mjedisit, nxitja e përshtatjes dhe lehtësimit ndaj ndryshimeve klimatike, parandalimi dhe menaxhimi i rrezikut; Nxitja e punësimit, lëvizjes gjeografike të punonjësve, dhe përfshirjes sociale dhe kulturore përtej kufirit.

Përveç tre prioriteteve tematike të përmendura më lart, programi do të përfshijë edhe një prioritet të veçantë për asistencë teknike që synon, ndër të tjera, sigurimin e menaxhimit dhe administrimit efikas të programit ndërkufitar.


Share