Komisioni për Integrimin Europian miratoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar”

  • Postuar më, 25/01/2016

Komisioni për Integrimin Europian shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar” dhe “Për ratifikimin e marrëveshjes për themelimin e fondit të Ballkanit Perëndimor dhe statutit të tij”. Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishin Ministri i Transporteve dhe Infrastrkturës z. Edmond Haxhinasto dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Ditmir Bushati. Në fjalën e tij, z. Haxhinasto theksoi se me  miratimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar” synohet një reformë në shërbimin e transportit publik për qytetarët. “Është një ndryshim i ligjit ekzistues, në fakt nuk do ta ekzagjeroj, po të them që përbën një reformë të thellë të transporti publik. Ndoshta reforma më e thellë që është bërë ndonjëherë, me qëllimin e vetëm, që është përmirësimi cilësor dhe i thellë, i shërbimit të qytetarëve. Reforma që do të realizohet  është një reformë integrale dhe është iniciuar nga një situatë shumë e rëndë në realizimin dhe operimin e transportit ndërqytetës sot. Mjafton të japim disa shifra për të kuptuar domosdoshmërinë e tij. Konkretisht sot kapaciteti ose përqindja e kapacitetit të autobusëve është 62%.  Mund të them që janë 1058 autobusa në sistem të regjistruar dhe vetëm   810. 40% e tyre punojnë dhe kanë    një moshe mbi 22 vjet. Vetëm 12% e tyre janë të moshës 15 vjet”,- tha z. Haxhinasto”. Më pas anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj së bashku me projektligjin tjetër “Për ratifikimin e marrëveshjes për themelimin e fondit të Ballkanit Perëndimor dhe statutit të tij”. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar” u shqyrtua edhe në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ku u miratua në parim.


Share