Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim projektligjin “Për masat shtesë për sigurinë publike”

  • Postuar më, 25/01/2016

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim projektligjin “Për masat shtesë për sigurinë publike”. I ftuar në mbledhje ishte Ministri i Brendshëm, z. Sajmir Tahiri dhe përfaqësues të Policisë së Shtetit. Duke prezantuar draftin në komision, Ministri Tahiri u shpreh se siguria nuk është ekskluzivitet i policisë, por i të gjithë shoqërisë. “Shqipëria meriton të jetë më e sigurt dhe policia është duke u përpjekur për ta ofruar këtë dhe projektligji për sigurinë publike, e bën vendin tonë edhe më të sigurt”, tha z. Tahiri. Përmes këtij ligji, Ministria e Brendshme synon të rrisë efektivitetin në parandalimin e veprave të ndryshme penale dhe një pikë e rëndësishme në këtë pjesë janë kamerat e sigurisë, si një detyrim për ambientet e parashikuara në këtë projektligj. Sipas z. Tahiri, policia dhe qytetarët në bashkëpunim mes tyre duhet të ngrenë mekanizma të atilla, që rrisin sigurinë e gjithsecilit. “Jemi duke u përpjekur ta bëjmë vendin më të sigurt. Kjo e fundit, nuk është vetëm çështje e policisë, por edhe e shoqërisë, që duhet të ofrojë bashkëpunimin e saj. Policia me punën e saj ka përmirësuar imazhin në sytë e publikut dhe ky i fundit ka më shumë besim tek efektivët e policisë. Ligji, - tha z. Tahiri, - detyron disa subjekte, por dhe zona publike për të vendosur kamera. Ligji është themelor dhe për luftën ndaj terrorizmit”, i cili tha se projektligji është i domosdoshëm dhe i vonuar. “Ky ligj shërben si gur themeli për të garantuar përgjegjësinë solidare të e gjithë aktorëve në një shoqëri (qofshin institucione publike apo sipërmarrës privatë, biznese apo qytetarë), duke bashkuar forcat dhe energjitë për sigurinë e përbashkët. E nga ana tjetër shërben për të parandaluar faktorët nxitës të informalitetit, paligjshmërisë dhe kriminalitetit”, tha Tahiri. Ministri shpjegoi se në këtë kuadër, ky ligj shtron bazat për të garantuar më shumë siguri për qytetarët e bizneset, duke ndarë përgjegjësinë për ato masa paraprake sigurie që kërkohen nga qytetarët dhe biznesi respektivisht. Janë disa kategoritë e subjekteve që, mbi bazën e këtij ligji, brenda një afati të caktuar të arsyeshëm kohor, detyrohen të marrin masa shtesë sigurie. Këto kategori bazohen mbi temperaturën e kriminalitetit në vend; mbi shpërndarjen gjeografike të tij; mbi analizën e elementit kriminal që bën Policia e Shtetit; mbi natyrën e vetë aktivitetit tregtar që ushtron një njësi biznesi; mbi orarin kur zhvillojnë aktivitetin dhe një sërë kriteresh të tjera që përfshihen në mënyrë konkrete në ligj. “Pavarësisht se në publik më shumë zhurmë ka bërë çështja e kamerave të sigurisë, ligji nuk trajton vetëm ato. Kamerat e sigurisë janë një ndër elementët për sigurinë e shtuar publike, por ligji ka edhe elemente të tjerë si kontraktimi i një policie private, aplikimi i mjeteve teknologjike për të garantuar më shumë siguri dhe një sërë elementesh të tjerë në mënyrë që puna e Policisë të jetë më e lehtë dhe policia, institucionet në tërësi, qytetarët dhe biznesi të bashkëpunojnë siç ndodh në çdo vend të botës, për t’i bërë qytetet, komunitetet dhe jetën e qytetarëve më të sigurt. Ky ligj shton në themel elementët bazë për të pasur një jetë më të sigurt në vendin tonë”, - theksoi Ministri i Punëve të Brendshme. Deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu vlerësoi projektligjin si të shumë të rëndësishëm, pasi sipas tij ndikon drejtpërdrejtë në luftën kundër kriminalitetit. “Është një përmirësimi i rëndësishëm i infrastrukturës ligjore në luftën kundër krimit. Dua të përgëzoj Ministrinë e Brendshme që ka ndërmarr këtë hap ligjor, pasi me këtë ligj merren masa parandaluese”, - tha z. Ndreu. Nga ana tjetër deputetët e PD-së, shprehën rezerva për këtë projektligj, që sipas tyre nuk e zgjidh problemin e kriminalitetit në vend. Pas diskutimeve, kryetari i komisionit, z. Spartak Braho tha se ky ligj rrit masat siguruese dhe parandalimin e krimeve. “Subjektet private duhet të ndërgjegjësohen mirë se shteti ka për detyra për ruajtjen e sigurisë, pronës, jetës dhe veprimtarisë së tyre, por duhet të ndërgjegjësohen për të marrë masa reciprokisht në dobitë aktivitetit të tyre. Unë do të kërkoja madje edhe shtimin e masave dhe subjekteve të tjera, veçanërisht për penalitetet ndaj subjekteve që nuk marrin masa për ë siguruar aktivitetin e tyre”, - tha z. Braho. Në fund, komisioni votoi pro në parim projektligjin “Për masat shtesë për sigurinë publike”.


Share