Komisioni parlamentare për Sigurinë Kombëtare, dhe Komisioni për Çështjet Ligjore miratuan ligjin “Për Amnistinë” dhe projektligjin “Fuqizimi i Qendrës Traumatologjike Kombëtare të Tiranës”

  • Postuar më, 18/12/2015

Komisioni parlamentar për Sigurinë Kombëtare miratoi me unanimitet ligjin “Për Amnistinë” . Përpara anëtareve të komisionit , Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani sqaroi edhe risitë e projektligjit.
“Amnistia e propozuar është nisur me një qëllim human, një qëllim që zakonisht shtetet e bëjnë këtë gjë për të treguar pjesën humane të tyre. Dua t’ju siguroj që kur jemi ulur dhe kemi bërë këtë propozim, duke nisur nga kriteret të cilat na ndihmojnë edhe ne që të administrojmë më mirë sistemin penitenciar”, tha z. Manjani. Ministri dha edhe disa të dhëna se si paraqitet situata në sistemin penitenciar. “Sistemi ynë penitenciar sot ka kapacitet 5 484 persona. Ndërkohë, faktikisht kemi sot 6314 persona. Pra rreth 830 vetë i kemi mbi normë. Persona të dënuar me vendim të formës së prerë janë sot 3078 persona prej të cilëve 9 janë të mitur, 62 gra, 3007 meshkuj në moshë madhore. Të paraburgosur janë 3236 persona. Prej të cilëve 57 janë gra, 66 të mitur, 2946 persona madhorë meshkuj. Brenda sistemit kemi 167 persona me mjekim të detyruar. Kështu që në këto kushte, sigurisht që jemi të detyruar të reduktojmë ambientet ndihmëse në sistemin penitenciar. Patjetër që kjo krijon vështirësi edhe në respektimin e të drejtave të të burgosurve në caktimin e radhëve për takim me familjarët etj”, tha z. Manjani. Ministri deklaroi se nga kjo amnisti pritet që të përfitojnë afërsisht rreth 720 persona. “Ta lirojmë sistemin penitenciar që ta rikthejmë disi në normalitet që të menaxhojmë situatën. Në këtë kontekst, unë kam një konstatim të cilin do ta bëj edhe një thirrje për sistemin gjyqësor në Shqipëri dhe prokurorinë. Nisur nga shifrat, rezulton se jemi gjysmë për gjysmë, pra gjysmë i kemi të dënuar dhe gjysma tjetër janë persona në masë arresti. Që do të thotë, sistemi i gjykimit penal është praktikisht afër kolapsit. Thirrja ime për prokurorinë, për sistemin gjyqësor ka qenë dhe mbetet e vazhdueshme që të shtojnë gjykimet e drejtpërdrejta. Nëse dikush arrestohet në flagrancë, nuk ka asnjë kuptim që të zgjatet afati i paraburgimit. Por personi i kapur të dërgohet direkt në gjykatë dhe merret dënimi. Kjo do na ndihmonte shumë për të liruar efektivisht gjendjen e të paraburgosurve dhe për të menaxhuar më mirë pastaj sistemin e të dënuarve. Ne nuk jemi për të bërë thirrje që do të hapin burgjet. Nuk është gjykimi ynë. Rregullat ndaluese në këtë amnisti janë të forta”, u shpreh z. Manjani. Deputeti Pjerin Ndreu shprehu mbështetjen për amnistinë, pro propozoi që të përfitojnë edhe ata të cilët janë në proces hetimi dhe që akuzohen për vepra penale gjer në 2 vjet. “Unë jam mbështetës i amnistisë, por për mendimin tim më duket pa sens që amnistia të mos përfshijë dhe personat të cilët janë në proces hetimi dhe në rastet kur vepra penale në maksimum parashikon jo më shumë se 2 vjet. Kjo është një formë e të ushtruarit të amnistisë që është aplikuar tek ne”, tha z. Ndreu.  Ky propozim u mbështet edhe nga deputetët e tjerë të mazhorancës dhe të opozitës. Projektligji “Për Amnistinë” u miratua dhe në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Edhe projektligji “Për ratifikimin e dokumenteve ndryshuese, me shkëmbim notash, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes, dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, përfaqësuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, për realizimin e programit “Fuqizimi i Qendrës Traumatologjike Kombëtare të Tiranës”, nënshkruar më 12.7.2006” u miratua me konsensus në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe në Komisionin për Sigurinë Kombëtare. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj deklaroi se propozimi i projektligjit me procedurë të përshpejtuar lidhet, ngushtësisht, ndër të tjera, edhe me disa ndryshime që kanë ndodhur në palën italiane. “Në datën 29 gusht 2014, në Itali ka hyrë në fuqi ligji i ri, që rregullon bashkëpunimin italian, i cili ka krijuar Agjencinë Italiane për Bashkëpunimin për Zhvillim. Kjo agjenci do të jetë plotësisht operative, që nga data 1 janar 2016. Për këtë arsye, është e nevojshme që të gjitha aktivitetet kryesore të mbyllen dhe t’i dërgohen zyrave përkatëse, të lidhura me Ministrinë e Punëve të Jashtme Italiane, përpara kësaj 2 date. Ndërkohë, janë ezauruar të gjitha shkëmbimet e notave midis palëve, në rrugë diplomatike”, tha z. Beqaj.


Share