Nënkryetarja e Kuvendit, znj. Valentina Leskaj ka marrë pjesë në Konferencën Kombëtare “Gratë Shqiptare në rrugëtimin drejt politikës dhe vendimmarrjes – në vëmendje gratë në pushtetin lokal”

  • Postuar më, 07/12/2015

Nënkryetarja e Kuvendit, znj. Valentina Leskaj kja marrë pjesë në Konferencën Kombëtare “Gratë Shqiptare në rrugëtimin drejt politikës dhe vendimmarrjes – në vëmendje gratë në pushtetin lokal”.

Në aktivitetin, ku të pranishëm ishin Kryeministri, z. Edi Rama dhe përfaqësues të shoqërisë civile, znj. Leskaj mbajti një fjalë ku theksoi se vendi nuk mund të ecë përpara nëse gjysma e popullsisë është e nënvlerësuar.

Fjala në Konferencën Kombëtare për gratë në vendimmarrje me Fokus të veçantë te pushteti vendor

Ky diskutim për gratë në vendimmarrje dhe sidomos fokusimi te gratë në pushtetin vendor, vjen në kohën e duhur për dy arsye themelore: Së pari, vjen pas zgjedhjeve vendore që kemi bërë një ndryshim shumë thelbësor sa i takon përfaqësimit të grave në vendimmarrje, veçanërisht në këshillat bashkiak. Ajo që ka ndodhur me zgjedhjet vendore ka qenë padyshim një përmbysje e madhe jo thjesht numerike, po së pari në thyerjen e një tabuje, po jo vetëm kaq.

Ndërkohë unë besoj se falë vullnetit politik, me një angazhim serioz kemi prodhuar një cilësi të re me përfshirjen e grave në nivelin e qeverisjes vendore. Së dyti, kjo konferencë vjen pas reformës territoriale, e cila është një nga reformat më të mëdha të këtyre 24 viteve. Një reformë, që krijon mundësi të mëdha për zhvillimin ekonomik vendor dhe afrimin e shërbimeve te njerëzit. Decentralizimi, kalimi i një sërë kompetencash e shërbimesh jetësore bashkive dhe përfshirja e grave në vendimmarrje, janë mënyra më e mirë për të afruar qeverisjen te njerëzit. Gratë janë jo vetëm dëgjuese e njohëse të mira po edhe praktike në zgjidhje të problemeve dhe padyshim që rritja e numrit të grave, sidomos në këshilla, do të sjell një ndryshim cilësor lidhur me shërbimet ndaj qytetarit. Unë besoj se duhet të ndihemi mirë të gjithë, bashkë me shoqërinë civile, për arritjet e deritanishme në përfaqësimin e grave në vendimmarrje si në legjislativ edhe në ekzekutiv me shifra të shumëfishuara. Kemi bërë një rrugë jo të lehtë, për të bërë ligje e politika, për të krijuar shërbime për gratë, po është hera e parë që kemi rezultate kaq të mëdha falë edhe një vullneti të qartë politik.

Nëse do t’i referohemi rankimit në statistika ndërkombëtare kemi bërë progres në përfaqësimin e grave në parlament, progres në numrin e grave në qeverisjen vendore dhe së fundmi edhe në atë vendor etj. Pak mund ta mendonin edhe disa vite më parë, se mund të kishim kaq shumë gra në këshillat vendorë, se mund të kishim kaq shumë gra ministre, në nivel të drejtorëve apo dhe në nivele të tjera.

E dini, gratë sot në botë përbëjnë vetëm 5% të 500 pozicioneve të larta të drejtuesve ekzekutivë ( CEO) dhe 24 % të pozicioneve menaxheriale sipas Cristin Lagard Drejtore e FMN. Natyrisht kjo na bën të ndihemi mirë po ndërkohë jemi koshientë se sfidën e kemi përpara. Sfida jonë e përbashkët është për të krijuar një qëndrueshmëri të arritjeve për gratë në vendimmarrje e përgjithësisht fuqizimin e grave. Ne jemi të angazhuar ta avancojmë axhendën për fuqizimin e grave, sepse e dimë që vendi nuk mund të bëjë përpara në se gjysma e shoqërisë është e nënpërfaqësuar. Çështja e barazisë gjinore nuk është thjesht një çështje morale. Kur ka pabarazi ajo kthehet në një problem jo vetëm për gratë po për gjithë shoqërinë, për vet zhvillimin e vendit. Ndërkohë që çështja e fuqizimit të grave është komplekse dhe është kyc për zhvillim të qëndrueshëm të një vendi. Të dyja janë të lidhura e ndërvarura: nuk ka zhvillim të qëndrueshëm pa integrimin e grave në proces dhe nuk ka zgjidhje të problemit gjinor pa një zhvillim të qëndrueshëm.

Gratë bëjnë 70% të shpenzimeve konsumatore, jo domosdosmërisht e tëra për veten e tyre. Dhe unë besoj se në se ne duam rritje ekonomike le ti vëmë gratë në vendin e shoferit dhe në fakt kjo qeveri është duke e bërë. Po sjell një shembull jo nga Europa, ku dihet vendet me standard më të lartë jetese kanë përfaqësim më të mirë të grave, po nga Ruanda një vend që ka ecur shumë. Gratë janë 53% në Parlament dhe ka rritje të dukshme në pozicione menaxheriale, Ruanda ka bërë një progres impresiv në reduktimin e varfërisë dhe pabarazive. Pabarazia gjinore përbën një pengesë serioze për reduktimin e varfërisë dhe zhvillim të qëndrueshëm. Na duhen politika ekonomike përfshirëse nga perspektiva gjinore ndërkohë që ajo që po bëjmë me edukimin dhe sidomos formimin profesional është shumë e rëndësishme. Edukimi është kyç për të ulur varfërinë dhe integruar gratë në zhvillimin e qëndrueshëm. Sipas statistikave 75 % e grave që jetojnë në varfëri nuk kanë as arsimin e mesëm.

Natyrisht që kemi një rrugë të gjatë për të bërë deri sa gratë të mos jenë viktima të dhunës; deri sa gratë të kenë të njëjtat mundësi ekonomike: në punësim, në pagë, në burimet financiare, në çështje të pronës, të mundësive për kredi; në shërbime sociale të arritshme e të përballueshme për to, pavarësisht në se jetojnë në fshat apo në qytet. E rëndësishme është që të gjitha këto të jenë pjesë jo vetëm e vëmendjes po dhe programeve tona konkrete. Kemi miratuar një set ligjesh që janë një bazë shumë e mirë për këto sfida.

Ndërkohë mendoj se na duhet konsolidimi i mekanizmave institucional në zbatim të ligjeve dhe politikave gjinore, që kemi prodhuar, se pa mekanizma eficentë, ligjet mbeten në letër. Na duhet fuqizim i mekanizmit të gruas në nivel të pushtetit vendor dhe këtu roli i grave të zgjedhura është shumë i rëndësishëm si promotore të mbështetjes së barazisë gjinore e si monitoruese. Na duhet fuqizimi i kapaciteteve të grave në këshilltare që që ato të mos jenë thjesht statistikë, roli i tyre të jetë real dhe këtu partneriteti me shoqërinë civile është i shumë i rëndësishëm.

Po besoj se kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm. Kemi bërë një rrugë të gjatë bashkë, pa një bashkëpunim dhe angazhimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe grave të shoqërisë civile nuk do ishim këtu ku jemi. Ndaj gjej rastin edhe njëherë të falënderoj për kontributin për të sjellë çështjet e barazisë gjinore në axhendën e ditës të politikës, në nismat ligjore e cilësinë e tyre, në procesin e monitorimit, në shërbimet ndaj grave, etj.


Share