Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi seancë dëgjimore me shoqatat e biznesit për projektligjet financiare

  • Postuar më, 07/12/2015

Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi seancë dëgjimore me shoqatat e biznesit për projektligjet financiare. Të ftuar ishin përfaqësues nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, “Biznes Albania”, Dhoma Amerikane e Tregtisë, etj. Shoqatat e biznesit i paraqitën në komision një sërë propozimesh duke kërkuar që të përfshihen në paketën fiskale të vitit 2016. Për sektorin e bujqësisë propozohet TVSH në nivelin 8 për qind, tatim-fitimi 0 për qind, dividenti 10 për qind, sigurimet e punëdhënësit 10 për qind, TAP-i 10 për qind, taksa e pronës 10 për qind. Për sektorin e turizmit u propozua TVSH 8 për qind, tatim-fitimi 10 për qind, dividenti 10 për qind, sigurimet 10 për qind, TAP-i 10 për qind. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka kërkoi lehtësi edhe për industrinë e fasonëve, si një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, si dhe për sipërmarrjet familjare. Sipas z. Jaka, sipërmarrja sot përballet me një sërë problematikash. Ndër problemet me kryesore, z. Jaka renditi informalitetin, korrupsionin, taksat e larta, apo ndryshimet e shpeshta ligjore, probleme të cilat sipas tij, ndikojnë në uljen e konkurueshmërisë në krahasim me vendet e rajonit, renditjen më poshtë në “Doing Business” apo ulje të ndjeshme të besimit të sipërmarrësve për investime të mëtejshme. “Stabilitet politik është i rëndësishëm për të ofruar garanci tek qytetarët. Toleranca politike duhet t’i shërbejë qytetarit. Biznesin duhet ta shohin si partner. Duhet të jenë më të kujdesshëm kur i adresohen qytetarët. Sugjerimi im është që respektoni qytetarin ditën e enjte”, - tha kryetari i DHTI-së, Jaka. Presidenti i Shoqatës së Turizmit, Zak Topuzi theksoi se taksat e larta nuk kanë stimuluar sektorin e turizmit. Në paketën e re fiskale qeveria ka parashikuar ndryshime në një sërë taksash, ku më të prekurit janë profesionet e lira, ndërkohë që lehtësohen të gjitha bizneset nën 8 milionë lekë xhiro vjetore.


Share